Shkup, nderohen të rënët e Bit Pazarit të vitit 1992
F.Sertolli / RTKlive
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka organizuar Akademi përkujtimore për të rënët e Bit Pazarit.
“Të paharrueshme do të ngelën 6 dhe 7 nëntori i vitit 1992, sepse pikërisht në këto dy ditë ndodhi diçka e tmerrshme: u vranë shqiptarët e pafajshëm, u plagosën shqiptarët e pafajshëm, u torturuan brutalisht shqiptarët e pafajshëm, u burgosën shqiptarët e pafajshëm, kurse askush nuk u përgjigj për këtë krim ndaj atyre që ishin të pafajshëm. Dhe ky brutalitet ndodhi në Bit Pazarin e Shkupit Dardan, aty ku historikisht fryma ka qenë shqiptare”, tha kreu i komunës Visar Ganiu.
Tutje ka thënë ai se 31 vite më parë në dyert e shtëpive të tyre u vranë Safet Sejfullai, Shemsedin Ibrahimi dhe Sulejman Memishi dhe shumë të tjerë u plagosën – Rufadije Bytyqi, Ibrahim Livareka, Sali Morina, Muharrem Sahiti, Adnan Jusufi, Raif Dalipi, Raif Dardhishta, Jahi Sulejmani, Fariz Jusufi, Sali Neziri, Alim Azemi, Ruzhdi Aliovski, Ali Sejdiu dhe Fari Imeri, dhe shumë të tjerë vuajtën burgjeve pa asnjë faj.
“Ne sonte bashkë me familjarët e të vrarëve e të plagosurve në ngjarjet e Bit Pazarit realizuam Akademinë Ngjarjet e Bit Pazarit të vitit 1992 ku edhe paralajmëruam se do të bëjmë çmos që kjo ngjarje mos të harrohet kurrë”, tha ai.
Lavdi të vrarëve në Ngjarjet e Bit Pazarit të vitit 1992-Safet Sejfullai, Shemsedin Ibrahimi dhe Sulejman Memishi.























