IHK paralajmëron vërshime të shpejta, por jo edhe përmbytje lumore
F.S / RTKlive
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë orëve të paradites së mërkurë kanë filluar reshje të shiut në tërë vendin, me intensitet më të lartë nëpër disa zona (veri-perëndimore, qendrore dhe veri-lindore) të cilat mund të shkaktojnë disa vërshime të shpejta.
Shirat që kanë filluar ketë të mërkurë, sipas IHK-së, mund të shkaktojnë vërshime të shpejta sidomos nga rrjedhat lumore me karakter malorë, të cilat mund të shkaktojnë pengesa në qarkullim, sisteme të kanalizimit, probleme në të gjitha aktivitetet bujqësore, probleme me trafikun, rrezik për rrëshqitje dheu etj.
“Nuk parashikohet të ketë përmbytje lumore sidomos nga lumenjtë kryesorë, të cilët aktualisht kanë nivele nënë kuotat e tyre mesatare për këtë periudhë të vitit”, thuhet në njoftim.
IHK thotë se gjatë orëve të pasdites së sotme gradualisht reshjet do të bien në intensitet dhe shtrirje dhe situata e përgjithshme hidrometeorologjike do të filloj gradualisht të stabilizohet.























