Shqyrtohet peticioni për dorëheqjen e kryetarit të Bordit të RTK-së
BKT
Lajme

Shqyrtohet peticioni për dorëheqjen e kryetarit të Bordit të RTK-së

B. H. | RTKlive

(E plotësuar) Komisioni për të drejtat  e njeriut në Kuvendin e Kosovës ka shqyrtuar peticionin e një pjese të punëtorëve të RTK-së për dorëheqjen e kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, të paraqitur nga njëra prej sindikatave të transmetuesit publik.

Pas një debati disa orësh me argumente dhe kundërargumente nga anëtarët e Bordit të RTK-së dhe përfaqësuesve të sindikatës,  si dhe pyetjeve të deputetëve anëtarë të këtij komisioni, kryetarja Duda Balje, ka theksuar se si komision janë për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj çështje. Ajo ka vlerësuar kërkimfaljen publike të kryetarit të Bordit të RTK-së sa i përket deklaratës së dhënë për punëtorët që vijnë vetëm për të bërë ‘check-out’. Ndërkaq, kryetari i Bordit të RTK-së theksoi se kjo ka qenë më shumë një  përpjekje politike dhe një organizim për ta dëmtuar atë. Ai ka këmbëngulur se në bord nuk kanë folur për veshje e as për dukje të punëtorëve, por sipas tij ka qenë një citim që ai e ka shpreh, e për çka ka shprehur keqardhje dhe falje publike. Boletini ka thënë se kur kanë ardhur si bord i ri e kanë gjetur RTK-në në gjendje shumë të keqe, por tani ka thënë se transmetuesi publik është në rrugë jashtëzakonisht të mirë.

“Edhe menaxhimin dhe kontrollin financiar e kemi në nivel shumë të mirë. Raporti i ZKA-së ka përmirësim të dukshëm me vitin paraprak. Ka edhe shumë punë për t’u bërë, nuk jemi të kënaqur as ne me punën që është bërë. Kemi fokus te skema programore dhe te reforma. Brenda dy viteve RTK do të jetë një ndër mediumet më serioze në vend”, ka thënë Boletini në fjalën përmbyllëse para këtij komisioni.

Ai ka thënë se kryetari i sindikatës, Fadil Hoxha ka hatërmbetje pasi ka kandiduar për drejtor dhe nuk është zgjedhur. “Relacionet tona janë thyer kur ky ka konkurruar për drejtor sepse mirë kemi qenë duke shkuar, por bashkëpunimin e vazhdojmë”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, Hoxha ka thënë se gjatë këtij raportimi që nga fillimi pati tendencë për t’iu shmangur fundamentit – peticionit të 361 punëtorëve të RTK-së. Ai i kërkoi Boletinit që të japë dorëheqje dhe të mos e presë shkarkimin nga Kuvendi dhe vlerësoi se është 'non-grata'.

Bordi i RTK-së raporton para Komisionit për të drejtat e njeriut

Bordi i RTK-së po raporton sot para Komisionit për të drejtat e njeriut në Kuvendin e Kosovës, e ku po shqyrtohet peticioni i nënshkruar nga një pjesë e punëtorëve të RTK-së për dorëheqjen e kryetarit të Bordit, Besnik Boletini. Në këtë mbledhje ka prezantuar edhe kryetari i njërës prej sindikatave të punëtorëve të RTK-së, Fadil Hoxha.

Ky i fundit ka kundërshtuar vendimin e Bordit që punëtorët e RTK-së të raportojnë në baza ditore për punën e tyre, teksa është ndalur edhe tek citimi që kryetari i Bordit ka bërë në mbledhje se "ka punëtorë që vijnë në pizhame e minifunde për t’u evidentuar në punë".

Ai këtë e ka vlerësuar fjalor të papërshtatshëm të kryetarit ndaj punëtorëve dhe për këtë arsye si sindikatë kanë kërkuar dorëheqjen e tij përmes një peticioni, e të cilin sipas tij e kanë nënshkruar 361 punëtorë.

“Gjuha e përdorur nga kryetari i Bordit, ka ndikuar që punëtorët e RTK-së të shndërrohen në objekt talljeje në publik”, ka thënë Hoxha.

Ndërkaq, kryetari i Bordit, Besnik Boletini ka thënë se një prej qëllimeve të Bordit aktual ka qenë transparenca në RTK. “Ne i kemi hap mbledhjet e Bordit, për të marrë pjesë monitoruesit dhe mediat sepse ka qenë plotësisht i mbyllur. Të gjitha mbledhjet e diskutimet kanë qenë të hapura e publike”, ka thënë ai.

Boletini theksoi se një pjesë e punëtorëve nuk punojnë sa duhet dhe vetëm bëjnë hyrje-daljet, prandaj sipas tij, bashkë me menaxhmentin kanë ardhur në përfundim që të bëhet një raport i përmbledhjes së aktivitetit ditor nga të gjithë punëtorët.

“Është e vërtetë ajo që është cituar, është diçka që nuk e kam bindje e as qasje, por diçka që më është thënë dhe e kam thënë ashtu siç më është kumtuar gjatë diskutimit e sipër. Pra, është çështje sekondash që  është cituar diçka që më është kumtuar. Lidhur me këtë situatë të nesërmen kam bërë një letër sqaruese menjëherë për të gjithë punëtorët e RTK-së dhe i kam shprehur keqardhje për lëshimin që ka ndodhur. Në të njëjtën kohë i kam shkruar një letër sqaruese edhe kryetarit të Kuvendit, pasi kjo u bë çështje dhe kryetarit të Komisionit të Mediave. Ideja ime ka qenë të njoftojë Kuvendin për këtë lëshim apo lapsus që ka ndodh dhe që ka shkaktuar pakënaqësi”, ka thënë Boletini.  

Ai tutje ka thënë se si Bord kanë qenë të vetëdijshëm se çështja e raportimit ditor nuk do të jetë e mirëpritur në RTK, por ka thënë se ajo ka qenë e nevojshme dhe do të ndodhë.

“Gjithsesi është çështje e vlerësimit të Komisioneve përkatëse të Kuvendit nëse duhet të ndërmerren masa lidhur me çështjen në fjalë”, ka theksuar tutje ai.

Sa i përket çështjes së peticionit, Boletini ka thënë se janë disa gjëra imagjinare.

“E para e punës peticioni fillimisht është shpërndarë në të gjitha emailat e RTK-së dhe ka qenë vetëm një pikë – kjo çështja e evidentimit në punë. Është një lloj manipulimi që ka ndodhë me punonjësit aty sa i përket pikave të paraqitura në peticion”, ka shtuar Boletini.

Mbledhja e këtij komisioni po vazhdon me pyetje dhe debat nga deputetët dhe anëtarët e Bordit të RTK-së. 

 


MË SHUME NGA Lajme