Szunyog: Është shqetësuese çështja e jostabilitetit financiar për RTK-në
E. Hoti / RTKlive
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog, në ‘RTK Prime’ ka thënë se situata e mediave në Kosovë, me përjashtim të veriut të Kosovës ku është shumë situatë specifike, është kryesisht e lirë dhe dinamike. Sipas tij, në këtë fushë ka sfida.
Szunyog ka thënë se është shqetësuese çështja e sabiliteti financiar dhe afatgjatë për RTK-në.
“Kemi shqetësimin që ligji për RTK-në nuk siguron stabilitetin financiar afatgjatë. E kuptoj që ka vështirësi në këtë drejtim dhe ka qenë edhe ai vendimi i Gjykatës Kushtetuese por, nuk është situatë e shëndoshë ku buxheti ndahet me afate të shkurtra. Duhet të ketë një lloj stabiliteti dhe parashikueshmërie në financimin e Radio Televizionit Publik, që normalisht është në interes të të gjithëve”, ka deklaruar ai.
Ai ka theksuar se Komisioni për Media sigurisht brenda periudhës nga qershori 2022-2023 është rikomponuar, por duhet të ketë një kornizë të re ligjore.
“Aq sa dimë është e gatshme, është e hartuar dhe është në parlament, dhe është në përputhje me standardet e BE-së, por duhet të finalizohet”, ka thënë ai.
Szunyog ka deklaruar se është më brengosëse siguria fizike dhe kolektive e gazetarëve.
“Ka një numër të sulmeve ndaj gazetarëve, sidomos kur bëhet fjalë për situatën në veri, por në përgjithësi ka çështje që kërkojnë koordinim më të mirë të autoriteteve të Kosovës në kuptimin e ofrimit të një mbrojtjeje më të mirë”, ka theksuar ai.























