Dëshmitari Ivanisheviq thotë se ka shërbyer në “Mbrojtjen territoriale"
RTKlive
(E plotësuar) Vazhdon procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku po dëshmon serbi Dragan Ivanisheviq, i propozuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Ai është dëshmitari i 34-të.
Vazhdon procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku po dëshmon serbi Dragan Ivanisheviq, i propozuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Ai është dëshmitari i 34-të.
Prokurori i ZPS-së, Andreë Boyle, e ka lexuar një përmbledhje ku ka thënë se dëshmitari Ivanisheviq është ndaluar bashkë me policin Velko Markoviq prej pjesëtarëve të UÇK-së.
“Dëshmitari Dragan Ivanisheviq po vinte në shtëpi me veturë në mbrëmjen e 9 shkurtit 99’ kur e rrëmbyen disa burra të armatosur me uniforma të UÇK-së. Brenda një ore apo diçka e tillë UÇK-ja e transportoi dëshmitarin nga një vend në tjetrin me një veturë ‘Lada’ të bardhë. Rrëmbimi i dëshmitarit përkoi me rrëmbimin e Velko Markoviqit. Dëshmitari e pa Markoviqin në atë ditë, disa herë, edhe kur i mbajtën mbrapa në bashkë në bagazh duke i çuar nga një vend tek tjetri. Gjatë kësaj kohe z. Markoviq i tha dëshmitarit ndër të tjera se ishte polic, porse do tu thonte kidnapuesve se punonte në hekurudhë. Z. Markoviq dhe dëshmitari arritën që ta hapnin bagazhin dhe dëshmitari iku, ndërsa Markoviqi vazhdoi të ishte i ndaluar nga UÇK-ja. Pasi iku dëshmitari mësoi nga të tjerët, përfshirë edhe nga familja e z. Markoviq se Markoviqi ishte parë për herë të fundit po atë ditë që dëshmitari ishte rrëmbyer duke vozitur një veturë Lada të bardhë. Ai mësoi se z. Markoviq punoi polic në hekurudhë, i njëjti informacion që i kishte thënë vetë z. Markoviq kur i mbanin në bagazhin e një makine Lada”, tha Boyle.
Dëshmitari Dragan Ivanisheviq gjatë dëshmisë së tij ka thënë se në kohën kur ka filluar lufta ka qenë i mobilizuar në ushtri si dhe ka shërbyer në njësitin “Mbrojtja territoriale”, në Vushtrri.
“Në ‘99 u mobilizova, u mobilizova sigurisht kur filloi lufta. Që prej 25 marsit të vitit (1999) deri më 14 qershor 1999. Ishte njësiti i ‘Mbrojtjes territoriale’ në Vushtrri”, ka deklaruar Ivanisheviq.
Ivanisheviq ka deklaruar se ka qenë në zonën e Vushtrrisë, por ndonjëherë ka shkuar që të ofrojë ndihmë edhe në vendet e tjera,
“Kam qenë në këtë zonë. Ndonjëherë shkonim të ofronim ndihmë në vendet e tjera. Unë isha gjatë gjithë kohës në Vushtrri, por isha edhe në fshatrat rreth e rrotull. Kam qenë në fshatin tim. Kam qenë edhe në disa vende, në vende që na dërgonin për ndihmë”, ka theksuar ai.
Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit, Dragan Ivanisheviq, Zyra e Prokurorit të Specializuar prezantoi një shënim për zhdukjen e Velko Markoviqit. Ivanisheviq ka theksuar se shënimet mbi zhdukjen e Markoviqit përputhen me ato se çfarë kishte parë me 9 shkurt 1999.
Në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve.
Ndryshe, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dje (më 8 nëntor), Gjykata Speciale përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se Gjergj Dedaj ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë.
Sipas njoftimit, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të rifillojë sot në orën 09:00 të mëngjesit ku edhe pritet të nisë edhe dëshmia e dëshmitarit tjetër të Prokurorisë.
“Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Gjergj Dedaj, seanca e sotme në gjykatën Thaçi etj. gjykimi është shtyrë. Gjykimi do të rifillojë të enjten, më 9 nëntor 2023, në orën 09:00, kur pritet të nisë edhe dëshmia e dëshmitarit të radhës të SPO-së”, thuhet në njoftim.
Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë janë paraparë të mbahen katër seanca.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.























