Mbyllet seanca e Kuvendit, dështon zgjedhja e anëtarit të Bordit të RTK-së
BKT
Lajme

Mbyllet seanca e Kuvendit, dështon zgjedhja e anëtarit të Bordit të RTK-së

M.M./RTKlive

(E plotësuar) Ka përfunduar seanca e sotme disa orëshe e Kuvendit të Kosovës.

Zgjedhja e anëtarit nga komuniteti serb në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës ka dështuar. Kandidatët e propozuar kanë qenë Nenad Jeniçeviq e Radoljub Mlladenoviq.

Miratohet Projektligji për Burime të Energjisë së Ripërtërishme

Deputetët e Kuvendit të Kosovë, në seancën e sotme parlamentare miratuan në parim, me 64 vota për edhe projektligjin për Promovimin dhe Përdorimin e Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë.

Për rëndësinë e miratimit të këtij projektligj, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se me këtë projektligj Kosova përbën dallimin nga shumica e shteteve të rajonit, duke krijuar një kornizë ligjore që bën një qendër për burime të pastra të energjisë më qëllim të tërheqjes të investitorëve, duke sjellë përfitime në sektorin privat, siç tha ajo, përmes koncepteve të reja të përfshirjes së konsumatorëve në sektorin e energjisë dhe  të procedurave në mënyrë konkurruese e transparente.

E deputeti nga radhët e PDK, Ferat Shala, pati kritika ndaj këtij projektligji, duke cilësuar si kontroverse, si në përmbajtje, ashtu edhe në vet titullin e këtij projektligji.

Sipas tij nuk është parë më herët të hartohet ligj për promovim. Shala më tej tha se ligji është i nevojshëm, por duhet hartuar më ndryshe, sepse, sikundër tha ai, përmbajtja është krejtësisht tjetër që s’ka të bëjë me promovimin, derisa shtoi se është për një ligj të zbatueshëm.

 

Gjithashtu, Kuvendi miratoi rekomandimet për raportin e  Auditorin e Përgjithshëm për raportin financiar të  buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 63 vota për miratuan Kosovës rekomandimet për raportin e  Auditorin e Përgjithshëm për raportin financiar të  buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Kuvendi vazhdon punimet me shqyrtimin e disa projektligjeve të tjera.

Kuvendi miraton edhe dy Projektligje, nuk kalon ai për Kadastër

(E plotësuar) Në seancën plenare ku po vazhdon me shqyrtimin e pikave të tjera të rendit të ditës, deputetët e Kuvendit të Kosovës po debatojnë lidhur me disa projektligje, derisa disa projektligje janë miratuar me shumicën e votave të thjeshta.

Kështu, u diskutua Projektligji për Parqet Industriale, i cili u miratua me 61 vota për. Gjithashtu me numërimin e njëjtë të votave, Kuvendi miratoi edhe Projektligjin për Parqe Industriale dhe Teknologjike, derisa Projektligji për Kadastrën e Pronës së Paluajtshme nuk kalon, në mungesë të kuorumit

Ndërkaq për Projektligjin për Administrimin e Procedurave Tatimore ka  folur ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili, duke arsyetuar ligjin në fjalë për përmirësim të ligjit ekzistues, që rrit efikasitetin në mbledhjen e tatimeve, ftoi deputetët për miratim.

Derisa deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti paraqiti vërejtjet e tij mbi këtë ligj, duke përmendur, mes tjerash, procedurat ligjore, si,fjala vjen, konsultimet me palët e interesit, etj. Sipas tij ky ligj përkeqëson kushte e të bërit biznes.

Me gjithë vërejtjet nga deputetët opozitarë, sidomos nga LDK, ky projektligj u miratua në parim me 60 vota për.

Kuvendi vazhdon punimet me shqyrtimin e disa projektligjeve të tjera.

 

Kuvendi miraton Deklaratën e Parlamentit Evropian për sulmin në Banjskë

(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës e votoi me 86 vota pro deklaratën në mbështetje të rezolutës së Parlamentit Evropian të datës 19 tetor 2023 lidhur me zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë - Serbi, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), para deputetëve të Kosovës paraqiti deklaratën në të cilën ceket mbështetjen Rezolutës së Parlamentit Evropian, e cila ka mbështetur në të gjitha etapat e fuqizimit të sovranitetit shtetëror, integritetit territorial, demokratizimit e përcaktimit evropian të Kosovës, si dhe duke u bazuar në rezolutën e fundit të PE-së.

Përmes së cilës deklaratë çmohet orientimi evropian i vendit tonë, derisa vë në pah rezolutën e fundit nëpërmes të cilës theksohet vendosmëria për forcimin e ligjit e të sigurisë,në funksion të ruajtjes së vlerave e parimeve demokratike, proceseve konstrukive rajonale dhe evropiane, Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson lart qëndrimet politike dhe mbështetjen parimore.

Pikat të cilat deputeti Tahiri i lexoi para deputetëve të Kosovës për miratim: 1. Kuvendi vlerëson lartë të gjitha qëndrimet politike të PE-së në lidhje me cenimin e integritetit territorial nga Serbia; 2. Mbështet fuqishëm thirrjet për ta mbajtur përgjegjëse ndërkombëtarisht Serbinë, si subjekt i hetimit ndërkombëtar; 3. I bashkëngjitet kërkesës së PE-së që sa më parë të ekstradohen në Kosovë planifikuesit e sulmit dhe cilido subjekt që e ka asistuar këtë sulm; 4. Vlerëson lartë qëndrimet përmes të cilave nënvizohet rëndësia e heqjes së masave ndaj Kosovës dhe vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë; 5. Fton Parlamentin që të luaj rol ende me fuqishëm në lidhje me qëndrimin që mbajnë 5 vendet mosnjohëse që ta njohin pavarësinë e Kosovës; 6. Vlerëson lartë kritikën që PE i jep qasjes destruktive të Serbisë; 7. Fton PE-në të marrin në shqyrtim dhe të vlerësojnë aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat”, ka thënë Tahiri para deputetëve.

Nuk kalon Rezoluta për policinë dhe ajo për ngritjen e koeficientit të pagave

(E plotësuar) Në Kuvendin e Kosovës nuk ka kaluar Propozim-Rezoluta për mbështetje urgjente financiare të Policisë së Kosovës, kjo pasi partia në pushtet ka abstenuar për këtë pikë.

Në këtë pikë kanë marr pjesë në votim 84 deputet, 25 votuan për, asnjë kundër, ndërsa 59 deputetë të LVV-së abstenuan për këtë Rezolutë.

Po ashtu në këtë seancë nuk ka kaluar as Rezoluta tjetër e propozuar nga AAK-ja në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave. Shumica e despotëve të LVV-së votuan kundër kësaj pike. Kjo pikë ka marr 28 vota për, 52 deputet votuan kundër, dhe ndërsa 4 deputet abstenuan.

Nis seanca, votohet lista e anëtarëve për themelimin e Komisionit Ad-hoc

(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës nisi seancën plenare. Deputetët e Kuvendit në seancën e sotme parlamentare, po diskutojnë për miratimin e deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian e datës 19 tetor 2023 lidhur me zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë - Serbi, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

N.M. /RTKlive

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka kërkuar mbështetje për miratimin e deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian të datës 19 tetor mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se mbështesin miratimin e kësaj rezolute të propozuar nga AAK-ja.

Në seancë, pasi partitë parlamentare dhanë emrat e anëtarëve, nga subjektet e tyre politike, për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave, deputetët me shumicë votash votuan listën e anëtarëve për themelimin e këtij komisioni.

Shefat e Grupeve Parlamentare, me kërkesë të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë dal nga salla e Kuvendit për të diskutuar në lidhje me Rezolutat që janë propozuar nga opozita.

Në seancën e sotme pritet të diskutohet edhe për njërën nga pikat e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 19 tetor dhe 2 nëntor 2023.

Mblidhet Kuvendi, në rend dite edhe rezoluta për mbështetjen e Policisë

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare. Në rend dite është edhe miratimi i deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian e datës 19 tetor 2023 lidhur me zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë - Serbi, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit në seancën e sotme parlamentare, që fillon në orën 10:00, do të diskutojnë, miratojnë dhe votojnë edhe shumë pika tjera.

Një nga pikat e kësaj seance do të jetë edhe votimi i rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, rezoluta në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave si edhe votimi i Projekt-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave.

Në seancën e sotme pritet të diskutohet edhe për njërën nga pikat e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 19 tetor dhe 2 nëntor 2023: Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe shumë pikave të tjera të papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 3 nëntor 2023.


MË SHUME NGA Lajme