Elshani: 1140 automjete me targa ilegale janë regjistruar në RKS
A.B / RTKlive
Qytetarët serb të Kosovës në veri të vendit vazhdojnë t’i regjistrojnë automjetet me targa të Kosovës duke i hequr ato ilegalet.
Nga momenti kur Qeveria e Kosovës mori vendimin për zgjatjen e afatit për regjistrimin e automjeteve me targat ilegale serbe, deri sot 1140 automjete me targa ilegale janë regjistruar në RKS.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani ka deklaruar për RTKlive se deri më sot janë regjistruar 1140 automjete.
Sipas tij, interesimi për regjistrim të veturave është në rritje.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e 28 tetorit, afati për regjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe është shtyrë deri më 1 dhjetor.
MPB: Mirëpresim vullnetin e shtuar për regjistrim të veturave
Ministria e Punëve të Brendshme , e mirëpritur vullnetin e shtuar të qytetarëve tanë të komunitetit serb të cilët po i përgjigjen pozitivisht vendimit të fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Nga fillimi i vendimit deri më sot 1140 qytetarë kanë konvertuar targa e tyre nga ilegale në të Republikës së Kosovës ku Komuna e Mitrovicës në veri ka pasur numrin më të madh të konvertimeve deri më sot. Ftojmë të gjithë qytetarët tanë, të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale që të vazhdojnë të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe të përfitojnë nga lehtësirat financiare deri më 1 dhjetor 2023”, thuhet në përgjigjen për RTK.























