Gjinden mbetje mortore në varrezat e Tusuzit, dyshohen si viktima të luftës
BKT
Në Fokus

Gjinden mbetje mortore në varrezat e Tusuzit, dyshohen si viktima të luftës

M.P. / RTKlive

Gërmimet e filluara në Tusuz të Prizrenit, përkatësisht hapësirën e varrezave të qytetit, kanë rezultuar me gjetje të mbetjeve mortore, potencialisht të viktimave të luftës.

Lajmin e ka bërë të ditur Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, teksa gërmimet po kryhen në tri lokacione në këtë hapësirë.

“Gërmimet e filluar në mëngjes tanimë kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore që mund t'iu përkasin viktimave të luftës që  vazhdojnë të jenë në Listën e Personave të Zhdukur”, njofton Komisioni.

Mbetjet mortore të zhvarrosura do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminimet e nevojshme dhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së.

“Pasi të përfundojnë të gjitha procedurat do përcaktohet numri i individëve të zhvarrosur dhe identiteti i tyre. Gërmimet në Tusuz të Prizrenit, janë duke u kryer në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Prishtinës,  Departamentit Special”, vazhdon njoftimi.

Ky është lokacioni i 13-të gërmues brenda Kosovës, teksa gërmimet po kryhen nga njësitet e Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ekspertët mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore me mbështetjen edhe të ekspertëve të EULEX-it.


MË SHUME NGA Në Fokus