Nënkryetarja e PDK-së i reagon Kurtit për deklaratën në Forumin e Parisit
B. H. | RTKlive
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti në Forumin e Parisit rreth idesë së shkëmbimeve të territoreve.
Reagimi i saj vjen pasi kreu i qeverisë gjatë diskutimit në këtë forum, duke folur për idenë e shkëmbimit të territoreve theksoi se ai projekt kishte gjetur homolog edhe në Kosovë. “Ky projekti i këmbimeve të territoreve ka pasur homolog edhe në Kosovë, nga një nga parardhësit e mi sepse në atë kohë është parë si një rregullim i shpejtë midis liderëve autoritar që flasin për popullin si familje e tyre e për territoret e shteteve sikur të ishin prona të tyre”, ka theksuar Kurti.
E Çitaku në reagimin e saj në Facebook, ka thënë se Kurti ka kohë që merret me Thaçin, si në Kosovë ashtu edhe jashtë.
“Kjo është një turp që vetëm sa e shpërfaq vogëlsinë e kryeministrit aktual dhe cektësinë e rezultateve te qeverisjes së sotme. Presidenti Thaçi nuk ka mundësi t’ja kthej sepse është në paraburgim duke mbrojtur UÇK-në. Po ashtu, rezultatet e qeverisjes Thaçi, autostradat, aeroporti, njohjet dhe vetë pavarësia jonë, shihen, preken, udhëtohen, përjetohen, gëzohen. Rezultati i vetëm i Kurtit është një ure këmbësorësh në një fshat dhe një mori sanksionesh nga aleatët tonë. I pabesë si me tanët ashtu edhe me të huajt”, ka shkruar ajo.























