Sulmohen dy gazetarë në Viti, AGK kërkon nga Policia siguri për ta
BKT
Lajme

Sulmohen dy gazetarë në Viti, AGK kërkon nga Policia siguri për ta

M.P. / RTKlive

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas kërcënimit me vrasje të gazetarëve të medias lokale në Viti, “Plus TV”, duke e ftuar Policinë e Kosovës të kujdeset për sigurinë e gazetarëve në vend.

“AGK-ja, e vlerëson shumë serioz dhe të rrezikshëm kërcënimin dhe e dënon në termat më të fortë. AGK-ja, e fton Policinë e Kosovës të kujdeset për sigurinë e gazetarëve dhe stafit tjetër të televizionit dhe të punojë intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e personit përgjegjës për kërcënimin”, thuhet në reagimin e këtij institucioni.

Sipas njoftimit, Fatos Hetemi dhe Irfan Maliqi nga ky televizion janë kërcënuar nga një llogari në rrjetin social Facebook, pas shkrimeve të fundit të kësaj medie lidhur me dy xhamitë në Komunën e Vitisë.
“Mesazhet kërcënuese me vrasje janë në drejtim drejtorit Fatos Hetemi dhe gazetarit Irfan Maliqi nga PlusTV...Këto kërcënime ndërlidhen me serinë e raportimeve të televizionit Plus lidhur me problemet e shqetësimet që kanë të bëjnë me xhamitë në Skifteraj dhe Ramnishtë, në këtë komunë, pasi Bashkësia Islame e Vitisë, në kuadër të BIK-ut, thotë se dy xhamitë, njëra në fshatin Skifteraj dhe tjetra në Ramnishtë, janë jashtë kontrollit dhe menaxhimit të BIK-ut dhe se frekuentohen nga njerëz të dyshimtë.”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e redaksisë.
 


MË SHUME NGA Lajme