Kurti: Njohja ‘de facto’, hap i parë drejt normalizimit
A.B/RTKlive
(E plotësuar, ora 14:55 ) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur edhe për dialogun me Serbinë.
“Sot nuk jemi në atë marrëdhënie të mirë edhe pse ky vit ka filluar mjaft mirë. Më 27 shkurt, në Bruksel, ne kemi arritur Marrëveshjen bazike për njohjen ‘de facto’, bazuar në modelin e dy Gjermanive të vitit 1972. Për këtë jemi pajtuar me Serbinë. Ne kemi shtuar Aneksin në Ohër, por atëherë Serbia refuzoi ta nënshkruaj atë”, tha ai.
Ai tha se duhet të ketë presion ndaj Beogradit për të nënshkruar Marrëveshjen, për të cilën janë pajtuar dy vendet. “Nënshkrimi i njohjes ‘de facto’ i dyanshëm është hapi i parë dhe i rëndësishëm drejt normalizimit”, tha Kurti.
Kurti ka folur edhe për eskalimin që ka ndodhur së fundi në veri të vendit,ku nga sulmi terrorist më 24 shtator u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
“Eskalimi ka ndodhur sepse përkundër marrëveshjeve verbale ose gojore në një tekst të plotë, nuk ishte nënshkruar, madje as në margjinat e Samitit të Këshillit Europian më 26 tetor”, tha Kurti.
Sipas tij Serbia refuzoi ta nënshkruajë dhe tha se e pranon marrëveshjen vetëm në koncept, por jo edhe në përmbajtje.
Ai përmendi sulmet ndaj KFOR-it, ndaj gazetarëve, si dhe rrëmbimin e policëve.
Kurti nga Vjena: Procesi i Berlinit është rruga përpara
(E plotësuar, ora 14:48 ) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se Procesi i Berlinit është rruga përpara.
“Ne kemi nënshkruar katër marrëveshje në vitin e kaluar, në kuadër të Procesit të Berlinit. Procesi i Berlinit është rruga përpara për të përgatitur Ballkanin Perëndimor për integrim", tha ai,
Kryeministri Kurti ka folur edhe për rritjen ekonomike të Kosovës që është arritur gjatë qeverisjes së tij. Ai tha se për këtë kohë, sa është në qeverisje, ka shtuar buxhetin me një miliard euro. Shefi i ekzekutivit tha se Kosova nuk është vend i madh, por ka pasur progres demokratik dhe kjo është vlerësuar nga organizatat ndërkombëtare. Kurti bëri me dije se ka pasur arritje edhe në fusha të tjera.
“Për vitin 2024 ne kemi rritur buxhetin posaçërisht në arsim, në përkujdesin shëndetësor, në bujqësi dhe mbrojte”, tha Kurti në kuadër të pjesëmarrjes në edicionin e 20-të të Forumit Ekonomik të Vjenës, ku ka marrë pjesë në panelin e diskutimit me titull “Ndërtimi i Bashkëpunimin Ekonomik në Kohë të Vështira”.
Live|Forumi Ekonomik i Vjenës
Forumi Ekonomik i Vjenës, po mban diskutimin me titull “Ndërtimi i Bashkëpunimit Ekonomik në Kohë të Vështira”.
Në këtë panel po merr pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Ndryshe promovimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal ka qenë qëllimi i Forumit Ekonomik të Vjenës që nga themelimi i tij në vitin 2004, raporton RTKlive.
Nga Forumi për bashkëpunim ekonomik ndërmjet sipërmarrësve nga vendet anëtare të Forumit Ekonomik të Vjenës - Shqipëria, Austria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Sllovenia, Turqia dhe Ukraina - është zhvilluar me sukses gjatë gjithë këtyre viteve.
Ndër anëtarët themelues të Forumit Ekonomik të Vjenës janë disa nga kompanitë dhe industrialistët më të njohur austriakë.
Kryeministrat e shteteve të rajonit të VEF, të përcaktuar si "Rajoni nga Adriatik në Detin e Zi", formojnë Komitetin e Patronazhit të Forumit Ekonomik të Vjenës.
Të gjithë ambasadorët e akredituar të vendeve anëtare të VEF-së në Austri marrin pjesë në aktivitetet e VEF-së si Anëtarë të Komitetit të Ambasadorëve. Organet e Forumit Ekonomik të Vjenës përfshijnë edhe komitete të ndryshme, me mbështetje të veçantë nga anëtarët e Komitetit të Nderit të VEF, personalitete të njohura dhe vizionarë.























