Kurti takoi Kovaçevskin, diskutuan për procesin e përbashkët integrues
M.Sh/RTKlive
Në margjina të Forumit Ekonomik të Vjenës, kryeministri Albin Kurti, takoi homologun e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me të cilin diskutuan për përkushtimin e dy vendeve në synimin e përbashkët për integrim në Bashkimin Evropian, si dhe sfidat përgjatë këtij rrugëtimi. Dy kryeministrat raportet mes vendeve i cilësuan shumë të mira.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit si në planin bilateral ashtu edhe atë rajonal në fusha me interes të ndërsjellë, me qëllim avancimin e mëtejmë të fqinjësisë së mirë, dhe në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve, njofton Kryeministria kosovare.
Në këtë kontekst u diskutua edhe për sektorin e energjisë, potencialin që dy vendet kanë edhe strategjitë tyre mbi këtë sektor.
U bisedua edhe për zhvillimet e fundit në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe takimin e 21 tetorit me liderët evropianë, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi homologun e tij mbi qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës se nënshkrimi i marrëveshjeve do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe garanci për zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Zbatues, njofton ekzekutivi.























