Tahiri –Beqa: Serbia ka rënë në heshtje, nuk i intereson marrëveshja
E. Hoti / RTKlive
Arta Tahiri-Beqa, analiste politike thotë se vështirë se mund të ketë progres në dialog, në qoftë se njëra palë nuk është e interesuar për të bërë zgjidhje. Fatkeqësisht pala serbe, sipas saj, ka rënë në heshtje dhe nuk bënë asnjë deklaratë, apo një inicim sado të vogël, për normalizim e marrëdhënieve me Kosovën.
Këtë deklaratë ajo e bëri në emisionin “Info Plus” në RTK.
Sipas saj, në një situatë të tillë nuk ka elemente të prekshme, që dialogu mund të sjellë rezultatet konkrete.
“Në momentin e tanishëm është mirë që kryeministri Albin Kurti po dërgon mesazhe për normalizimin e marrëdhënieve, sepse tek e fundit qëllimi ynë primar duhet të jetë që të kemi qasje sa më pozitive karshi faktorëve ndërkombëtarë, sepse e dëshmuam dhe po themi vazhdimisht që rrugëtimi jonë është pro evropian dhe gjithmonë drejt politikave të Evropës”, tha ajo.
Tahiri-Beqaj ka theksuar se në qoftë se nuk mund të ketë një presion të vazhdueshëm nga faktori ndërkombëtarë mbi Serbinë, nuk mund të ndodhin rezultate të pritshme.
“Pala serbe nuk ka disponim për të bërë një zgjidhje sa i përket dialogut dhe mendoj se Asociacioni i Komunave, ose formati që kërkohet nga ana e palës kosovare, që realisht është respektimi i vijave të kuqe për ne, e anën tjetër shkelë vijat e kuqe të Serbisë. Kjo e fundit nuk dëshiron Asociacion që i ofron Kosova, prandaj edhe po heziton sa i përket njohjes”, nënvizoi ajo.























