Bislimi: Shoqërinë civile e konsiderojmë partner në procesin integrues
M.Sh/RTKlive
“Qeveria e Kosovës i sheh akterët e shoqërisë civile si partnerë në procesin e integrimit evropian ku secila palë ka rolin e saj dhe mund të japë kontribut si në hartim, monitorim, zbatim apo komunikim të reformave”. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislim.
Këto komente ai i ka bërë në takimin e rregullt të radhës me organizatat e shoqërisë civile, ku mori pjesë edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Takimi i sotëm, sipas qeverisë, ishte i dedikuar për fushën e arsimit, derisa u bisedua mbi prioritetet nga Agjenda Evropiane e Reformave II, përfshirë përmirësimin e cilësisë së përgjithshme në sektorin e arsimit; sigurimin e qeverisjes transparente të institucioneve arsimore dhe për rritjen e qasjes në arsim.
“Nga viti i ardhshëm do të vazhdojmë vetëm me Programin Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) 2024–2028, derisa masat e mbetura nga ERA dhe rekomandimet e raportit të vendit do të përfshihen në atë plan”, ka thënë Bislimi, njofton Qeveria.
Sa i përket shoqërisë civile, raporti i fundit për vendin vlerëson se ajo po funksionon në një mjedis të favorshëm.
“Shoqëria civile vazhdon të marrë pjesë aktivisht në konsultimet publike dhe të kontribuojë në proceset e politikbërjes dhe monitorimit. Platforma online për konsultime publike është përditësuar me veçori që lehtësojnë edhe pjesëmarrjen e personave me nevoja të veçanta”, thuhet më tej në njoftim.
Raporti gjithashtu konstaton se OSHC-të, palët e interesuara dhe publiku u angazhuan pothuajse katër herë më shpesh në konsultime publike në nivel qendror krahasuar me vitin 2021.
“Reformat e brendshme në sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, progresi ekonomik dhe social, liberalizimi i vizave dhe përkushtimi në bashkëpunimin rajonal konfirmojnë se po bëjmë hapat e duhur e në rrugën e duhur drejt të ardhmes evropiane”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ndryshe, takimet e radhës për këtë vit do të jenë në fushën e sundimit të ligjit, reformës së administratës publike e për sektorin e energjisë..jpg)























