Mbaron dëshminë e tij për sot dëshmitari Shefqet Kabashi
N.M. /RTKlive
(E plotësuar, ora 20:30) Për ditën e sotme ka mbaruar dëshminë e tij dëshmitari Shefqet Kabashi ndërsa pritet që të njëjtën ta vazhdojë në seancën e nesërme.
Shefqet Kabashi është dëshmitari i ri i ZPS-së, dëshmia po bëhet përmes video-lidhjes.
Në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot, vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve.
Ndryshe, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të hënën më 13 nëntor, ka vazhduar dëshminë dëshmitari 35-të, me shifrën W04444 dhe dëshmitari i 36-të, Sadik Halitjaha.
Sipas përmbledhjes së lexuar në gjykatë, dëshmitari i 35-të, W04444, pretendohet se është arrestuar dhe keqtrajtuar nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë periudhës përkatëse. Dëshmitari i 35-të, gjatë dëshmisë, tha se nuk është i sigurt nëse është rrëmbyer nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 35-të, ka filluar që të dëshmojë dëshmitari i 36-të, Sadik Halitjaha, ish-zv.komandant i Zonës Operative të Pashtrikut i cili do të vazhdojë edhe sot dëshminë e tij në Hagë.
Ndryshe në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë janë paraparë të mbahen katër seanca, raporton RTKlive.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.























