KOSTT: 63.2 milionë euro janë shpenzuar për energjinë në veri më 2022
BKT
Në Fokus

KOSTT: 63.2 milionë euro janë shpenzuar për energjinë në veri më 2022

SH.Ç/RTKlive

63.2 milionë euro i ka kushtuar vendit furnizimi me energji elektrike të katër komunave veriore për vitin 2022, ka bërë të ditur kryesuesi i bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, në Komisioni parlamentar për buxhet, punë dhe transfere.

Mehmeti ka theksuar se energjia e shpenzuar nga serbët në veri te vendit janë mbuluar përmes buxhetit te shtetit, nga mjetet që iu janë dhënë nga qeveria. Ai ka thënë se mungesa e mbulimit të konsumit për pjesën veriore vazhdon të paraqesë problem për vendin. 

Ndërsa, ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë se po paguan shumëfish më tepër për rrymën në veri sesa qeveritë e kaluar dhe se kësaj nuk po i shihet fundit.

Sipas tij, bazuar në raportimin e KOSTT-it sot në Komisionin për Buxhet, në dy vjetët e fundit janë paguar 113 milionë euro për rrymën në veri, ndërsa sivjet deri në shtator janë paguar rreth 25 milionë euro.

“Anomalia qëndron edhe në faktin se në vitin 2021, pagesa u bë me vendim të Kuvendit. Ndërkaq, në vitin 2022 u anashkalua Kuvendi dhe pagesa u krye me vendime tjera. Qeveritarët e sotëm nuk kanë lënë gjë pa bërë kundër qeverive të kaluara kur ato detyroheshin të bënin pagesat për energjinë në veri. Tani paguajnë shumëfish më shumë dhe nuk i shihet fundi si do të mbyllet kjo çështje”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Kritika për pagesat në veri të vendit, pat edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

“Qeveria e Kosovës vazhdon të paguajë humbjet në veri dhe ajo që dua ta theksoj se edhe ish-qeveritë kanë paguar por në një shumë më të vogël dhe më kujtohet se në kohën e ish-qeverisë Haradinaj janë ndarë 1 milion euro dhe VV-ja sa ishte në opozita nuk ka lënë gjë pa thënë”, u shpreh Lekaj.


MË SHUME NGA Në Fokus