Takohen Maqedonci-Kingji, Shqipëria ofron mbështetje për Kosovën
SH.Ç/RTKlive
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, shoqëruar nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, janë takuar me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneral major, Arben Kingji, me delegacionin e lartë të FARSH-it.
Në takim është diskutuar për situatën aktuale të sigurisë, si dhe mundësin e thellimit të bashkëpunimit bilateral ndërmjet forcave të të dyja vendeve në disa fusha ushtarake.
“Me këtë rast, ministri Maqedonci shprehu mirënjohje të thellë për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për kontributin e veçantë të tyre në zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së, veçanërisht në fushën e arsimimit dhe stërvitjes”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas komunikatës, ai ka ritheksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka mbështetja nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe FARSH, si shtet anëtar i NATO-s, duke pasur parasysh përvojën e madhe në procesin e integrimeve euroatlantike, si dhe në ngritjen dhe zhvillimin e operacionalitetit ushtarak në përgjithësi.
Ndërsa, gjeneral Jashari e falënderoi gjeneral Kingjin për vizitën dhe shprehu mirënjohje për përpjekjet e pashtershme të Shqipërisë për mbështetjen e dhënë për zhvillim dhe avancim të mëtejmë të FSK-së dhe në përafrimin e ushtrive të të dyja vendeve.
“Gjeneral Kingji në këtë takim ofroi mbështetjen e pakushtëzuar të Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në iniciativat rajonale. Bashkëbiseduesit u dakorduan që të vazhdohet ky bashkëpunim i ngushtë për të garantuar mbrojtjen e interesave kombëtare”, thuhet në komunikate.























