Zjarrfikësit paralajmërojnë protestë nëse s’paguhen për rrezikshmëri
BKT
Lajme

Zjarrfikësit paralajmërojnë protestë nëse s’paguhen për rrezikshmëri

Sh.Ç/RTKlive

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka paralajmëruar protestë nëse nuk u plotësohen kushtet. Përmes një reagimi kjo sindikatë ka theksuar se Qeveria mori vendim selektiv në mbledhjen e sotme ku me vendim u siguruan mjetet për rrezikshmëri në punë vetëm për Policinë e Kosovës.

Sindikata e Zjarrfikësve ka theksuar se kjo i ka irrituar dhe shqetësuar pa masë, pasi vlerësojnë se nuk kanë mbështetje dhe përkujdesje institucionale dhe janë diskriminuar, denigruar e përbuzur me dekada.

“Zjarrfikësit e Kosovës ende nuk janë kompensuar për ndërrime të natës, festat shtetërore dhe fetare, orët jashtë orarit për vitet 2022-2023. Mospagesa e orëve jashtë orarit të ftuar në mobilizim në veri. Kjo gjendje dhe ky diskriminim ka arritur kulmin dhe zjarrfikësit e Kosovës kërkojnë drejtësi dhe kërkesat të plotësohen urgjentisht”, thuhet në reagim.

Kanë theksuar se u janë drejtuar institucioneve duke kërkuar që kjo gjendje të ndryshohet, porse kanë hasur në heshtje.

Sipas tyre kërkesat janë duke u bërë qe dy dekada, për çka shtojnë se durimi po ju humbet.

Zjarrfikësit kërkojnë që të fillojë kompensimi i rrezikshmërisë në punë, sigurimet shëndetësore, të rritet stafi me zjarrfikës të rinj, kontrollet sistematike të zjarrfikësve. Të kompensohen obligimet për orët jashtë orarit, festat shtetërore dhe ndërrimet e natës për vitin 2022. Të kompensohen ndërrimet e natës, festat shtetërore dhe orët jashtë orarit për vitin 2023. Të definohen kompetencat menaxhuese në mes AME/MPB-Komuna, të përmirësohen kushtet e punës, sigurohen pajisje dhe mjete për punë dhe të sigurohen shujta.

“Kërkojmë urgjentisht që të analizohet gjendja e rëndë që ka kapluar shërbimin e zjarrfikësve dhe shpëtimit në Kosovë, përndryshe zjarrfikësit e kanë humbur durimin dhe unanimisht kërkojnë që për shkak të mosrealizimit të kërkesave dhe pritjeve me vite, mospërfilljes dhe anashkalimit që iu bëhen zjarrfikësve të organizojnë protestë”, thuhet në reagim.


MË SHUME NGA Lajme