Roli i diasporës, i pazëvendësueshëm për shtetet e rajonit
BKT
Lajme

Roli i diasporës, i pazëvendësueshëm për shtetet e rajonit

Visar Shatrolli /RTK

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në cilësi të nikoqires së forumit ndërkombëtar “Ulpiana”, i cili po mbahet në Prishtinë, vlerësoi kontributin e diasporës për dërgimin e mbi 1 miliard eurosh remitanca, duke theksuar se rëndësia e saj është e padiskutueshme.

“Migrimi përmes angazhimit të diasporës” ishte tema mbi të cilën u diskutua në ditën e dytë të Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana”. Roli i diasporës në të gjitha fushat u vlerësua tejet i rëndësishëm.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, vlerësoi kontributin e diasporës për dërgimin e mbi 1 miliard eurosh remitanca, duke theksuar se rëndësia e saj është e padiskutueshme.

“Shohim se diaspora mund të sjellë diçka më shumë me rëndësi sesa financat, ata sjellin më shumë se 1 miliard euro në Kosovë, që është një e treta e buxhetit tonë shtetëror. Por përveç parave që sjellin, ne kemi nevojë për përvojën e tyre, nga demokracitë e zhvilluara dhe vullnetin e tyre për ta parë Kosovën në fazën e njëjtë ku ata jetojnë. Na nevojitet edhe angazhimi politik i diasporës”, tha ajo.

Diplomatë nga rajoni, pjesëmarrës në forum, i ndanë përvojat e shteteve të tyre me migrimin.

“Mund të konsiderojmë që 400-500 mijë njerëz janë pjesë e komunitetit të diasporës së Maqedonisë së Veriut. E para që është më rëndësishme se si të parandalohet trendi i vazhdueshëm i migrimit, si t`i tërheqim njerëzit tanë? Në 30 vjet të pavarësisë sonë kemi provuar çdo gjë, e vetmja mënyrë që ta ndalojmë migrimin është që t’i bashkëngjitemi Bashkimit Evropian”, theksoi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut.

Sekretari për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Zdenko Luciq, tha se ajo që shtetet duhet të bëjnë në mënyrë që ta parandalojnë imigrimin është që t`i ruajnë talentet dhe t’i joshin njerëzit që të kthehen në vend, të kenë bashkëpunim me diasporën.

“Çdo shtet, për të pasur sukses në këtë proces, duhet t`i përmirësojë kornizën ligjore, sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit”, tha ai.

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Artemis Malo theksoi se për vitin 2024 Shqipëria ka bërë disa projekte të reja si ai i shkollës verore, e cila dallon nga ajo e Kosovës, sepse është pjesë e diplomacisë publike.

“Njerëzit që janë në Ambasada e Konsullata janë përgjegjës për zgjerimin e rrjetit dhe bashkëpunim të  fuqishëm me komunitetin  shqiptar kudo që jeton”, tha ajo.

Forumi Ndërkombëtar “Ulpiana” u organizua për herë të parë nga Ministria e Jashtme dhe e Diasporës në Prishtinë. Mbi 20 shtete nga e gjithë bota, me 48 folës, po diskutojnë në forum për migrimin, diasporën e për tema të tjera.


MË SHUME NGA Lajme