Instituti Kosovar për Logopedi hap tri kabinete në tri shkolla të Prishtinë
BKT
Foto: Instituti Kosovar për Logopedi
Lajme

Instituti Kosovar për Logopedi hap tri kabinete në tri shkolla të Prishtinë

Albana Bajrami /Radio Kosova

Shërbimet logopedike kanë filluar të zgjerohen nëpër shkolla të kryeqytetit, ndërsa nevoja për shërbime të tilla ka në tërë shkollat e vendit, thonë logopedët.

Iniciativën për të hapur kabinete të logopodisë nëpër shkolla e ka marrë Instituti Kosovar për Logopedi, duke parë edhe kërkesat e prindërve që këto shërbime të jepen falas në institucionet shkollore.“

Shërbimet private kanë kosto”, thotë Arta një nënë që ka fëmijën e saj në klasën e parë dhe që ka probleme në artikulimin e fjalëve.

 “Ekzistojnë mësueset që punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta, por shkolla ku e kam fëmijën nuk i plotëson kushtet dhe nuk e zëvendëson logopedin. Kështu jam e detyruar që fëmijën ta dërgoj për këtë shërbim në privat”, ka thënë Arta.

Koordinatorja e kabinetit të Logopedisë në shkollën “Emin Duraku”, në Prishtinë, Marigona Kozmaqi, tha për Radio Kosovën se pas kërkesave të prindërve, janë hapur edhe dy kabinete në dy shkolla të tjera në Prishtinë.

Ajo bëri të ditur se në tri kabinete janë rreth 40 fëmijë që po trajtohen, derisa tha se ata janë identifikuar përmes bashkëpunimit me prindër e mësimdhënës nëpër shkolla.

 “Kabinetet e tjera janë në shkollën “Asim Vokshi” dhe në shkollën “Mehmet Gjevori”, në Prishtinë. Interesimi i prindërve është i madh dhe me kapacitetet që i kemi, jemi duke iu ofruar shërbimet logopedike. Në të tri kabinetet kemi diku mbi 40 fëmijë, ndërsa në këtë shkollë, janë rreth 25 deri në 20 fëmijë me probleme në të folur. Prindërit i kanë treguar shqetësimet e tyre, janë vlerësuar dhe të gjithë ata fëmijë që janë parë që kanë nevojë për këto shërbime veçse janë duke i marrë ato dhe janë duke u trajtuar nëpër kabinetet logopedike”, ka thënë Kozmaqi.

Në të tri kabinetet e logopedisë në shkollat e lartpërmendura janë të angazhuar 16 logopedë, ndërsa koordinatorja Kozmaqi, tha se gjithmonë ka nevojë për më shumë.

 “Uroj që shteti të hapë sytë dhe të rekrutojë e punësojë logopedë nëpër shkolla për të përmbushur nevojat e fëmijëve” , ka shtuar Kozmaqi.

E logopedja Albina Krasniqi, flet për arsyet se pse shumë fëmijë kanë vonesa në të folur.

 “Kemi arritur të shohim që grupmoshat më të vogla, parashkollor, klasa e parë e klasa e dytë kanë më shumë probleme. Ndoshta edhe prezenca e teknologjisë së tepërt ka ndikuar shumë për të pasur vonesa në të folur”, ka thënë Krasniqi.

Prej dy vjetësh kjo iniciativë e Institutit të Logopedisë për të hapur kabinete logopedike nëpër shkolla, po mbështetet nga Drejtoria e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës.

Instituti Kosovar për Logopedi ka organizuar trajnime për Komunikim Alternativ-Augmentativ për mësimdhënësit në disa shkolla të Prishtinës. Këto shkolla të projektit pilot kanë përfituar nga një tabelë komunikimi, që shërbejnë për nxënësit me vështirësi gjuhësore. Projekti është mbështetur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkë financues nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.


MË SHUME NGA Lajme