Lumir Abdixhiku rizgjedhet kryetar i LDK-së
Elmina Osmani & Valbona Thaçi/ RTK
(E plotësuar, ora 15:50) Kuvendi X Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës, unanimisht ka rizgjedhur Lumir Abdixhikun për të drejtuar me këtë subjekt politik edhe për një mandat katër vjeçar. 332 delegatët votuan pro Abdixhikut.
Pas rizgjedhjes si kryetar i partisë, Abdixhiku tha se do të ushtrojë këtë detyrë me sjellje rugoviste.
“Ju faleminderit të gjithëve për këtë nder dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme që ma dhatë sot. Unë tani kam një fjalë të përgatitur në konventën madhështore që do të mbahet me fillim nga ora 17:00 dhe do t’u kursej këtë kohë tani. Do të ushtroj këtë detyrë e këtë përgjegjësi me sjellje rugoviste në besim në LDK, në besim në anëtarësinë tonë”, tha ai.
Ndryshe në këtë kohë janë duke ardhur anëtarë të LDK-së nga komuna të tjera të Kosovës, për të marr pjesë në Konventën e kësaj partie, e cila do të fillojë në ora 17:00.

LIVE|Abdixhiku: Zgjedhjet në LDK janë gjithmonë festë
(E plotësuar, ora 15:30) Po vazhdon Kuvendi Zgjedhor i LDK-së.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur për punën që është bërë në këtë parti dhe rezultatet që janë arritur në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtur në Kosovë. Ai theksuar se pas zgjedhjeve lokale janë marrë me çështje të brendshme të partisë.
Abdixhiku uroj delegatët e përzgjedhur për detyrën dhe përgjegjësinë që e kanë marrë, duke ju thënë se “keni marrë më të shenjtën dhe njëkohësisht me të shtrenjtën, besimin e anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës”.
“Keni marrë detyrën e dërgimit të kësaj përgjegjësie drejt organeve të reja të partisë për t’i dhënë prirje e orientim gjatë katër viteve të ardhshme, jo vetëm LDK-së por edhe gjithë Republikës së Kosovës”, tha Abdixhiku.
Ai tha se zgjedhjet në LDK janë gjithmonë festë, sepse sipas tij ato manifestojnë vetë themelin e besimit ideologjik të LDK-së. Sipas, tij LDK programin politik e mban program kombëtar për Kosovën. Abdixhiku tha se LDK është rizgjuar edhe në mërgatë.
Tutje, kreu i LDK-së tha se niveli i masivizimit demokratik është shenjë e një thirrje e një kushtrimi të anëtarësisë si pritje e tyre ndaj secilit prej nesh, duke cituar se pritjen duhet ta ushtrojnë secili nga si të djathtë, patriot e besimtar të republikës e mbi të gjitha si ndjekës të denjë të arkitektit të republikës atit themeltar të Kosovës, ish-presidentin Ibrahim Rugova.
Sipas tij, projekti identitar i LDK-së është, një Kosovë e pavarur e sovrane e anëtarësuar në NATO dhe BE e me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës..
“Kemi thënë se zgjedhjet në LDK janë festë, janë festë sepse manifestojnë themelin e vetëbesimit tonë ideologjik. Atë të shprehjes e demokracisë, një vlerë e marrë si e mirëqenë për grupimin tonë politik por më besoni më e domosdoshme sidomos në këtë kohë. Ky nivel i masivizimit demokratik, është shenj e një thirrje e anëtarësisë si pritje e tyre ndaj secilit prej nesh”, tha ai.
Duke shtuar se dy vite më parë kishte marrë përgjegjësinë më të madhe jetësore, atë të prirjes së LDK-së.
“Dy vite më parë po qëndroja para jush me zotimin e një gjetje të rrugës përpara. Dy vite e gjysmë qëndroj me bindje të plotë se kemi arritur rrugën e ringritjes sonë që besonim të gjithë, na gjeti sepse kemi ecur mbarë. Dy vite më parë u gjendëm para një sfide të pazakontë për ne dhe për vetë Republikën, të dalë nga një rezultat zgjedhor që tregonte si më i ulëti historik, të përballur me populizmin e përmasave të paarritura më parë”, u shpreh Abdixhiku.
Në këtë kuvend po merr pjesë edhe eurodeputeti austriak, Lukas Mandl. Abdixhiku e falënderoi atë për punën që ka bërë në të mirë të Kosovës.
Ai tha se është nder për të që të flasë në partinë e Ibrahim Rugovës, të cilin e cilësoi si themeluesin e shtetit më të ri në Evropë.

LIVE|Kuvendi i dhjetë Zgjedhor i LDK-së
(E plotësuar, ora 14:40) Ka filluar Kuvendi i dhjetë Zgjedhor i LDK-së.
LDK-ja s’ia lejon kandidimin Bislimit, s’ia jep as fjalën
Anëtarët e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) s’ia dhanë fjalën Faton Bislimit gjatë procesit zgjedhore të kësaj partie. Ai doli para anëtarëve dhe me dorën ngritur lart kërkonte të fliste, por nuk u lejua.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj, tha se norma e statutit të LDK-së nënkupton që secili anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës që dëshiron të zgjidhet, ai duhet të fillojë procesin nga struktura bazë e Lidhjes Demokratike të Kosovës që është nëndega.
Abdixhiku shprehu falënderim e mirënjohje për kontributin e të gjithë 'burrave e grave të LDK-së
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në emër të gjithë delegatëve dhe të anëtarësisë së LDK-së shprehu falënderim dhe mirënjohje për kontributin e të gjithë 'burrave e grave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të atyre që janë e të tjerëve që nuk janë në mesin e tyre, themeltarëve të shtëpisë së demokracisë, duke theksuar që të rreshtuar prapa atit themeltar të Republikës së Kosovës presidentit historik Doktor Ibrahim Rugovës, bënë gjithë rrugëtimin për liri,pavarësi, demokraci'.
“Atë që e pamë të gjithë, atë që na shndërron si rikujtim i këtij misioni fisnik, ju faleminderit të gjithëve, qofshim të aftë të bëjmë e të ruajmë atë çfarë bëtë ju”, tha Abdixhiku.

Delegatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë mbledhur për të mbajtur Kuvendin e 10-të Zgjedhor.
Për pak pritet që atyre të iu drejtohet kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njëherësh kandidati i vetëm për të drejtuar këtë parti edhe për një mandat.
























