Haxhiu akuzon Prokurorinë për mosveprim të duhur në ‘Rastin Dehari’
BKT
Lajme

Haxhiu akuzon Prokurorinë për mosveprim të duhur në ‘Rastin Dehari’

V.Thaqi/RTKlive

(E Përditësuar, ora 14:20) Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u paraqit në një konferencë për media, pasi ishte intervistuar nga Prokuroria në rastin e Astrit Deharit. Ajo pati kritika në prokurorinë që nuk e ka hetuar si duhet këtë rast, derisa si ministre tha se e ka për obligim të angazhohet për drejtësi.

“Në cilësinë e ministres së drejtësisë kam obligimin e plotë që të angazhohem për drejtësi, dhe kam obligim moral e qytetarë për t’u interesuar për vrasjen e një qytetari (aktivisti politik) në duart e shtetit, sikurse edhe të flas edhe për mos veprimet nga ata që kanë veshur petkun e prokurorit apo kujtdo tjetër”, tha Haxhiu.

Prokurori special, sipas Haxhiut, reagoi me shpejtësi ndaj një deklarate që ajo kishte thënë. “Por nuk ishte hera e parë që më kanë thënë diçka të tillë publikisht, tha Haxhiu. Sipas saj, një sërë episodesh janë zhvilluar gjatë këtyre shtatë viteve, por prokurori nuk ka treguar të njëjtin zell, ndaj reagimeve, ndaj mosveprimeve apo veprimeve të gabuara.

“Nëse tani për tani nuk dihet se kush kanë qenë urdhërdhënësit apo ekzekutorët, atëherë prokurori është dashur të merret me personat që nuk e kanë kryer detyrën sipas përgjegjësisë në mënyrë që të mbërri tek e vërteta”, shtoi Haxhiu.

Tutje Haxhiu tha se kur flasim për prova, prokurori duhet ta dijë që provë nuk është vetëm emri i përveshëm i personit të dyshuar për një vepër penale, por gjithçka tjetër që të çon deri tek e vërteta.

“Po ta kisha emrin e kryesit apo kryerësve të veprës penale, unë nuk do ta kisha pritur ftesën e prokurorit për ta thënë emrin e personit që dyshohet, e kjo është puna e tij, për këtë paguhet nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për këtë ai është prokuror, që të bëjë hetime, punën e tij unë nuk mund ta bëjë”, ”, deklaroi Haxhiu

Ajo po ashtu tha, se ka një sërë veprimesh të dyshimta që kanë ndodhur, që nga vdekja e dyshimtë e Astrit Deharit, e që nuk janë zhvilluar ende hetime të mirëfillta.

Haxhiu nuk deklarohet pas intervistimit, në orën 14 mbanë konferencë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk është deklaruar për medie pas intervisitmit për rastin e ish-aktivistit të VV-së, Astrit Dehari.

Haxhiu u ka thënë medieve se për detaje do të flasë në konferencë e thirrur në ora 14:00.

Avokati i ministres Haxhiu nuk lejohet të marrë pjesë në seancë

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka konfirmuar për media se gjatë intervistimit të ministres Albulena Haxhiu në rastin e Astrit Deharit, i është ndaluar pjesëmarrja në gjykatë në cilësinë e mbrojtësit. Gashi e ka cilësuar Prokurorinë si selektive, si dhe ka kërkuar që nga ky rast të largohet prokurori Afrim Shefkiu.

“Prokuroria, për arsye te panjohura, vepron në mënyre selektive, sepse me dhjetëra dëshmitarë që janë amrrë në pyetje me është lejuar pjesëmarrja e tani kjo është mohuar”, tha Gashi.

Ministrja Haxhiu është marrë në pyetje për shkak të një statusi në facebook, ku ka thënë se ka dëshmi për vrasjen e tij. Gashi tha se ministrja është e vetme duke dhënë dëshminë.

"Ne nuk jemi të kënaqur me prokurorin, për të cilin tanimë kërkojmë sërish largimin e tij nga ky rast. Ai akoma po punon në këtë rast, edhe pse nuk ka të drejtë", tha Gashi.

Ai tha se së bashku me familjen, do të konsultohen dhe do t;i drejtohen edhe Këshillit Prokurorial.

Ministrja Haxhiu sot  jep dëshmi për rastin Dehari

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se sot ministrja Albulena Haxhiu, do të japë dëshmi për rastin Dehari.

“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në orën 10:00, do t’i përgjigjet ftesës për të dhënë dëshminë në raport me rastin Dehari”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit pas intervistës, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrja Haxhiu do të mbajë Konferencë për medie.


MË SHUME NGA Lajme