Blakaj: Prokuroritë të bashkëpunojnë dhe kriminelët të dalin para drejtësis
M.Miftari/RTKlive
Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka folur për gjykime në mungesë të të pandehurve. Ai ka thënë se ndonëse kjo bie ndesh me standardet ndërkombëtare, duke shtuar se edhe viktimat e luftës nuk do ta kenë një drejtësi efektive, megjithatë ky ka qenë një tentim i autoriteteve të Kosovës që ta kalojnë barrierën e mosbashkëpunimit ndërmjet prokurorive speciale të Kosovës e Serbisë.
“Ky ka qenë një tentim i autoriteteve të Kosovës që ta kalojnë barrierën e mosbashkëpunimit ndërmjet prokurorive speciale të Kosovës e Serbisë, sepse pa atë bashkëpunim, shumica dërmuese e kryerësve të krimeve të luftës nuk do të mund të procedoheshin pata gjykatave të Kosovës , sepse ata nuk janë në Kosovë dhe janë jashtë mundësive të ndjekjes këtu për t’u arrestuar”, deklaroi Blakaj në “InfoPlus”, në RTK.
Ai lidhur me këtë shtoi se është bërë edhe amendamentimi i Kodit të Procedurës Penale dhe tashmë është mundësuar mbajtja e gjykimeve në mungesë.
Blakaj bëri të ditur se deri më tani janë ngritur gjashtë aktakuza në mungesë ndaj të pandehurve, ngase nuk janë prezentë në Kosovë, derisa sqaroi se dje është shënuar seanca e parë gjyqësore në mungesë për krime lufte.
Për gjykime në mungesë Blakaj vuri në dukje se ka pasur raste të tilla edhe në Kroaci, teksa shtoi se zor të dihet për ndjenjën e satisfaksionit te viktimat dhe familjet e tyre, por, shtoi ai, gjykimet e tilla nëse janë të drejta sjellin vërtetësinë e ngjarjes.
Blakaj më tej tha se prokuroritë e të dyja vendeve duhet të bashkëpunojnë ndërmjet veti në mënyrë që kriminelët të dalin para drejtësisë.























