Në “RTK Prime” debatohet dështimi i Kosovës për kualifikim në Euro 2024
B. H. | RTKlive
Dështimi i Kombëtares së Kosovës për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2024, gjendja në të cilën ndodhet futbolli kosovar dhe përfundimi i punës si përzgjedhës i sllovenit Primozh Gliha ishin temë diskutimi “RTK Prime”.
Trajneri i njohur, Bylbyl Sokoli ka vlerësuar se ndërprerja e bashkëpunimit me trajnerin slloven ka ardhur shumë shpejt. “Është dashur të pritet dy - tre ditë sepse ka ende shumë emocione për shkak të këtij debakli. Të gjithë janë të pakënaqur edhe në federatë edhe në opinion. Ai ka qenë vetëm ushtrues i detyrës dhe për mendimin tim nuk është dashur të emërohet fare. Kam thënë në fillim që CV-ja e tij nuk premton shumë. Një përzgjedhës duhet të jetë shumë më autoritativ për të kontrolluar lojtarët që vijnë nga ligat e ndryshme evropiane”, ka thënë Sokoli, ish-përzgjedhës i Kosovës.
Megjithatë, ai e ka pranuar faktin se nën drejtimin e Glihës Kombëtarja e Kosovës ka luajtur më mirë se sa në kohën e trajnerit francez, Alain Giress.
Ndërkaq, gazetari Alban Lumi dhe drejtuesi i KF “Trepça”, Avni Haxhiu vlerësuan se arrestimi i kreut të FFK-së në fillim të fushatës kualifikuese ka ndikuar tek atmosfera e ekipit kombëtar.
“Rumania na befasoi jo vetëm neve por të gjithëve në grup, duke e mposhtur edhe Zvicrën. Por, nuk duhet të harrojmë se kemi pasur probleme të jashtme që kanë interferuar. Në prag të ndeshjes me Andorrën kemi pasur atakim ndaj kreut të federatës, kemi pasur urdhërarres. Si rrjedhojë është prishur atmosfera e mirë brenda Kombëtares. Në fund, ai proces që filloi përfundoi pa aktakuzë dhe këtu më së shumti pësoi Kombëtarja e Kosovës. Por, nën drejtimin e këtij presidenti kemi pasur edhe sukses, promovimin në Ligën C dhe kemi zbuluar disa lojtarë të rinj”, ka thënë Lumi.
“Problemi duhet të shikohet në mënyrë kronologjike. Personalisht mendoj se problemi ka qenë që dy ditë para ndeshjes me Andorrën është arrestuar presidenti dhe atë në mesin e futbollistëve në hotel. A nuk ndikon kjo në atmosferën e futbollistëve? Rëndësia kryesore ka qenë që të fitohet ndeshja me Andorrën. Po të ishte fituar ajo ndeshje krejt ndryshe do të zhvilloheshin ngjarjet”, u shpreh Haxhiu. Edhe ai është pajtuar me Sokolin se nën drejtimin e Glihës Kosova bëri lojë më të mirë, teksa theksoi se nga këndi i tij nuk sheh probleme të mëdha në federatë siç trumbetohen.
Megjithatë, Sokoli ka vlerësuar se të mendohet që organet e drejtësisë kanë vepruar dhe ata janë fajtorë për këtë dështim është naivitet. ”Nëse flasim për dobësi ato janë evidente dhe nëse nuk i qesim në sipërfaqe nuk mund t’i eliminojmë”, ka shtuar ai.
E ish-futbollisti Taulant Dajaku ka thënë se kur një shoqëri nuk e çmon pjesën e vet më të mirë siç janë talentet e jashtëzakonshme dhe tenton t’i njollosë ata me çfarëdo situate nuk është në rregull. “Keqmenaxhimi e ka njollosur Kosovën më së shumti. Përfaqësuesja e Kosovës, të gjithë ata lojtarë dhe të gjithë mekanizmat përcjellës nuk përfaqësojnë individin por shtetin tonë. Mungesa e një reagimi shoqëror ndaj një katrahure dhe një imazhi të njollosur të futbollit të Kosovës, duke përfshi edhe problemi me fushën dhe keqmenaxhimi i asteve të rëndësishme sportive tregon se kjo shoqëri është kapur në një formë”, ka thënë Dajaku. Sipas tij problemet në futbollin kosovar janë të akumuluara dhe sipas tij problemi real është te kryetari i FFK-së.























