Debati për raportin e KE-së shtyhet për seancën e ardhshme|Video
A.B/RTKlive
(E plotësuar, ora 17:00) Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet e seancës së sotme plenare.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, mbylli punimet e seancës së sotme, rrjedhimisht shtyu për seancën tjetër.
Ai tha se edhe debati parlamentar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023, shtyhet për seancën tjetër.
Polemika për marrëveshjen me Danimarkën për burgun e Gjilanit
M. P. M.M. / RTKlive
(E plotësuar) Marrëveshja me Mbretërinë e Danimarkës për lëshimin me qira të burgut të Gjilanit për 10 vjet, ka shkaktuar polemika në Kuvendin e Kosovës. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se përveç këtij shteti, marrëveshje të tilla kanë shtruar edhe shtete tjera, por të cilat do të refuzohen.
“Më duhet të bëhem e sinqertë, pas kësaj marrëveshje ka pasur edhe vende tjera që kanë kërkuar ta bëjnë marrëveshjen e njëjtë, mirëpo ne nuk kemi pranuar. Po ia japim burgun e Gjilanit Mbretërisë së Danimarkës për nevojat e tyre, pesë plus pesë vite, mirëpo nuk jemi të interesuar për marrëveshje të tilla me shtete të tjera”, ka deklaruar Haxhiu.
Ndërkaq për arsyen e përzgjedhjes së burgjeve të Kosovës, Haxhiu, ka thënë se kjo ka të bëjë me trajtimin e të burgosurve.
“Ne kemi pyetur Danimarkën se pse e ka zgjedhur Republikën e Kosovës, ata duket se e kanë vlerësuar raportet për mënyrën se si trajtohen të burgosurit dhe kanë konsideruar që trajtimi i të burgosurve është në përputhje me standardet”, ka thënë ajo.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se si grup parlamentar kanë pasur probleme ideologjike si grup parlamentar për këtë marrëveshje.
“Një pjesë e grupit e kundërshtojnë këtë marrëveshje për shkeljet e të drejtave të njeriut, por synimi i ministres Haxhiu që marrëveshja është bërë pa dijeninë e kryeministrit, pa vendim të Qeverisë, kjo është e papranueshme për ne. Kjo na dërgon te qëndrueshmëria, ligjshmëria e marrëveshjes”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq diskutimi për aprovimin e kësaj marrëveshje po vazhdon me polemika, teksa përveç opozitës, kundër kësaj marrëveshje kanë dalë edhe një pjesë e deputetëve të pushtetit.
Kuvendi votoi katër marrëveshje ndërkombëtare
(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës, në seancën e sotme parlamentare, ka miratuar katër marrëveshje ndërkombëtare. Këto marrëveshje më parë nuk ishin votuar nga partitë opozitare, por pas një marrëveshje mirëkuptimi me partinë në pushtet opozita ka pranuar që sot ta bëjë një gjë të tillë.
Deputetët e Kuvendit miratuan me 83 vota Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.
Poashtu me 83 vota u miratua edhe Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, si edhe Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.
Kurse me 84 vota u miratua Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë.
Haxhiu: Jo rrallëherë IML është përballur me skandale të shumta

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka reaguar ndaj kritikave drejtuar asaj, nga shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare, në veçanti për ngjarjen e fundit në IML.
“Jo rrallëherë IML është përballur m skandale të shumta ndër vite. Është folur që vetëvrasje janë bërë vrasje, vrasjet janë bërë vetëvrasje; janë zhdukur provat; mënyrat se si është ndërtuar objekti ka qenë i gabuar etj.”, deklaroi ministrja Haxhiu.
Ajo sërish adresoi kritika ndaj sistemit të drejtësisë në vend, duke kujtuar rastin e mostrave të Astrit Deharit, ku, sipas saj, asnjë person nuk është i dyshuar.
Tutje, ministrja Haxhiu ftoi deputetët që të themelohet një komision hetimor për këtë çështje.
Haradinaj: Të inicohet një rezolutë për anëtarësim në NATO

(E plotësuar) Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në seancën e Kuvendit të Kosovës, diskutimin tij e përqendroi te vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ai theksoi se Parlamenti mund të marrë dy-tre vendime të shpejta për ta ndihmuar vendin në një situatë që është e rrezikshme për sigurinë.
“Parlamenti mund të kërkojë një rezolutë përmes të cilës obligohet qeveria e vendit që të kërkojë anëtarësim në NATO, direkt”, tha Haradinaj.
Ai, tutje, propozoi që të krijohet një komision për NATO-n, si dhe një agjendë për t’i bindur vendet anëtare të NATO-s për të mundësuar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Haradinaj, lidhur me skandalet e qeverisë tha se jam në vijën e kritikave të opozitës, por, tërhoqi vërejtjen se situata e sigurisë mund të na befasojë.
Gashi: Qeveri e ardhur në pushtet me flakë, po digjet nga flakët e tij
(E plotësuar) Arben Gashi, kryetari i GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka folur për skandalet e qeverisë, duke vënë theksin, siç tha ai, në tri skandale serioze gjatë një jave. Ai diskutoi për përfshirjen nga flakët IML, si dhe për qëndrimet e ministres Haxhiu për këtë ngjarje.
Ai numëroi skandalet e qeverisjes aktuale, që sipas tij janë: ajo e shtyrjes së regjistrimit të popullsisë dhe pronës, korrupsioni në Ministrinë e Jashtme, duke paguar këshilltarë me paga të majme, djegia për herë të dytë e IML-së, që,duke u bazuar edhe në reagimin e ministres së Drejtësisë, kjo merr përmasa kriminale.
“Më e rëndë bëhet kur kjo djegie ndodh për herë të dytë dhe, nëse marrim parasysh qëndrimet e ministres së Drejtësisë kjo situatë merr përmasa kriminale. Ministrja e Drejtësisë deklaron publikisht se nuk ka dëmtim të arkivës, nuk ka dëmtim të mostrave mortore që mbahen në këtë institut, ndërkohë që në medie raportohet se jo vetëm që ka dëmtim të arkivës, jo vetëm që ka dëmtim të mostrave, por ka dëmtim të mostrave mortore të komandantit legjendar Adem Jashari, ka dëmtim të mostrave të komandantit tjetër, Isa Boletini e të mos flasim për rastet të qytetarëve të tjerë që mund të kenë përmbajtje të qëllimshme për zhdukjen e rasteve kriminale”, deklaroi Gashi.
Ai më tej shtoi se një qeveri, e cila ka ardhur në pushtet me flakë, po digjet nga flakët e pushtetit, si pasojë e paaftësisë qeverisëse dhe i qeverisjes kriminale.
Musliu: Gjykata Speciale në Hagë përdor metoda të frikshme
(E plotësuar) Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu ka folur për vendimin e fundit për ndalimin e vizitave dhe të telefonatave të atyre që po mbahen padrejtësisht në Hagë.
“Dhomat e Specializuara apo Gjykata Speciale në Hagë, në mungesë të provave dhe fakteve, për të fshehur motivin politik dhe dështimin e tyre janë duke përdorur metoda të frikshme të shkeljes së të drejtave të njeriut që nga fillimi i punës së kësaj gjykate e deri me vendimin e fundit për ndalimin e vizitave dhe të telefonatave të atyre që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, deklaroi Musliu.
Ajo u bëri apel të gjitha organizatave kompetente që të reagojnë kundrejt këtij vendimi të DHSK-së.
“Kosova dhe shqiptarët asnjëherë nuk iu kanë trembur drejtësisë, sikurse asnjëherë nuk e kanë duruar padrejtësinë. Ky Kuvend e ka votuar këtë gjykatë dhe ky Kuvend duhet i pari të reagojë kur shkelen të drejtat themelore të njeriut”, ka deklaruar, mes tjerash, deputetja Musliu.
Tahiri: Puna e IML-së vazhdimisht është penguar nga pushteti

(E plotësuar) Abelard Tahiri, kryetar i GP të Partisë Demokratike të Kosovës, në seancën e Kuvendit ka folur për skandalet e qeverisjes aktuale. Ai tha se sa herë që plasin skandale të kësaj qeverie, deputetët e mazhorancës flasin për Serbinë, për Radojçiqin, për Rusinë, për sulmet.
“Sa herë plasin skandale të kësaj qeverie, deputetët e mazhorancës flasin për Serbinë, për Radojçiqin, për Rusinë, për mundësinë e sulmeve, vetëm e vetëm për t’i ikur këtij debati për skandalet që jemi duke i diskutuar këto ditë”, deklaroi Tahiri.
Ai kujtoi skandalet e ndryshme duke përmendur pagën e lartë të një këshilltari të kryeministrit të vendit, pastaj për sigurinë në vend, për grabitjet me armë të gjata nëpër qytetet të Kosovës; për përfshirjen nga flaka të Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).
Tahiri në fjalimin e tij u ndalk për të trajtuar IML, që, sipas tij, prej ardhjes në pushtet të LVV-së, ky institut vazhdimisht ka hasur në pengesa në kryerjen e aktivitetit të tij.
Fillon seanca e Kuvendit

V.Th. RTKlive
Ka filluar seanca në Kuvendit me 63 deputetë të pranishëm, ku fillimisht në punimet e seancës do të jenë miratimet e disa proces verbaleve të cilat kanë mbetur nga seancat e datës 28 shtatorit dhe nga muaji tetor të datave 5,19,26 dhe 27, po ashtu edhe e 16 nëntorit.
Kryeparlamentari Konjufca deklaroi se me praninë e 63 deputetëve konstaton se miratohen proces verbalet.
Seanca vazhdoi me deklarimet jashtë rendit të ditës, ku në emër të Vetëvendosjes foli Arbër Rexhaj, i cili tha se edhe pas sulmit terrorist në Banjskë, aktiviteti terroristit i Milan Radojçiqit nuk ka pushuar asnjëherë, së punuari në riorganizimin e aktiviteteve paramilitare e terroriste kundër Kosovës.























