Në 23-vjetorin e vrasjes, presidentja Osmani përkujton Xhemajl Mustafën
M.Sh/RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar politikanin dhe intelektualin Xhemajl Mustafa në 23-vjetorin e vrasjes dhe kërkon që autorët e vrasjes së tij të vihen para drejtësisë.
“Ai ishte më shumë se një politikan, një bartës i së vërtetës dhe njeri me virtyte, duke e vënë gjithë potencialin e tij intelektual në shërbim të luftës për liri e pavarësi. Vrasja e tij na i kujton sfidat e ashpra me të cilat u përball shoqëria jonë atëkohë. Trashëgimia e tij do të jetojë përherë në zemrat tona, teksa vizioni i tij për Kosovën e pavarur është testamenti i përmbushur”, ka shkruar Osmani.
Autorët, sipas Osmanit, duhet të vihen para drejtësisë, ndërkaq kujtimi për Xhemën do mbetet i përhershëm, thotë ajo.
Xhemajl Mustafa lindi në fshatin Gllamnik të Komunës së Podujevës në vitin 1953. Ai ishte gazetar dhe redaktor, në të përditshmen Rilindja dhe në Qendrën e Informimit të Kosovës (QIK). Gjatë viteve 90-ta ishte anëtarë i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe këshilltar i lartë politik i presidentit Ibrahim Rugova. Xhemajl Mustafa u vra para banesës së tij në Prishtinë, më 23 nëntor 2000. Kjo vrasje, sikurse edhe disa të tjera, kanë mbetur të pa ndriçuara nga autoritetet e drejtësisë.























