RTK pret mbështetje nga JICA për hapjen e zyrës rajonale në Pejë
BKT
Lajme

RTK pret mbështetje nga JICA për hapjen e zyrës rajonale në Pejë

B. H. | RTKlive

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini së bashku me anëtarin e Bordit, Driton Hetemi, pritën në takim një delegacion nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar -  JICA, të përbërë nga Hashimoto Keiichi, Nakamura Meguni dhe Yamashita Chigiru.

Sipas komunikatës së Bordit të RTK-së, në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm me JICA, punën dhe progresin e bërë në RTK, por edhe për sfidat me të cilat vazhdon të përballet transmetuesi publik, siç janë çështja e pronës dhe financimit të qëndrueshëm.

Delegacioni u informua lidhur me funksionimin e dy zyrave rajonale në Prizren dhe Mitrovicë, të cilat janë donacion nga JICA, si dhe u elaborua për rëndësinë e hapjes edhe të zyrës rajonale në Pejë dhe në rajone të tjera të Kosovës në të ardhmen.

Lidhur me këtë projekt, RTK ka bërë kërkesë për të marrë përkrahje nga JICA për zyrën rajonale të Pejës dhe është në pritje të përgjigjes nga kjo organizatë.

Boletini në emër të Bordit të RTK-së falënderoi JICA-n për ndihmën që i ka dhënë RTK-së ndër vite dhe kërkoi që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe me tutje.


MË SHUME NGA Lajme