Sindikata e Policisë: Nuk e pranojmë propozimin e Qeverisë për rrezikshmëri
BKT
Lajme

Sindikata e Policisë: Nuk e pranojmë propozimin e Qeverisë për rrezikshmëri

M.Sh/RTKlive

Sindikata e Policisë së Kosovës nuk e ka pranuar propozimin e Qeverisë për shtesat e rrezikshmërisë për policinë, duke i konsideruar si diskriminuese. Në një njoftim për medie, kjo sindikatë kërkon që shtesa për rrezikshmëri të mos mbetet më e ulët se ajo që është pranuar para hyrjes në fuqi të Ligjit.

Sindikata thotë se përkrahë të gjitha kërkesat e arsyeshme dhe legjitime të secilit zyrtarë policorë dhe punonjësve tjerë mbështetës të Policisë së Kosovës.

“Sa i përket propozimit të Qeverisë për shtesat e rrezikshmërisë, vlerësojmë se janë të ulëta dhe nuk e arsyetojnë punën dhe rrezikshmërinë në Policinë e Kosovës, prandaj janë të pa pranueshme për secilën kategori, janë diskriminuese për të gjitha njësitë, sepse të gjithë zyrtarët policorë përballen çdo ditë me rrezik dhe kjo e dëshmon me numrin e zyrtarëve policorë që e kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin për media.

Sindikata e Policisë së Kosovës mbron interesat e të gjithë pjesëtarëve të policisë me qëllim të përmirësimit të mirëqenies dhe kushteve për punë, këtë e bënë në mënyrë të organizuar, në konsultim dhe koordinim me anëtarësinë e saj.

“Nga takimi i mbajtur, Këshilli Drejtues doli me këto kërkesa:  1. Shtesa për rrezikshmëri të mos mbetet më e ulët se ajo që është pranuar para hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave, që ka qenë në shtatë nivele duke filluar nga 105 euro dhe më larta 215 euro, ose me përqindje në pagën bazë duke filluar nga 25% deri në 50%; 2. Ndërsa për stafin civil, koeficienti të harmonizohet me vendin e punës dhe profesionet që i kryejnë”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Policisë.

Pakënaqësia te të gjithë pjesëtarët e policisë, sipas Sindikatës, është e madhe, prandaj kërkohet që “në afat sa më të shkurtë të realizohen kërkesat paraprake me qëllim të përmirësimit të kushteve dhe mirëqenies në polici”.


MË SHUME NGA Lajme