23 vjet nga vrasja e Xhemail Mustafës, nuk ka zbardhje të këtij rasti
BKT
Në Fokus

23 vjet nga vrasja e Xhemail Mustafës, nuk ka zbardhje të këtij rasti

Qendresa Duraku / RTK

U mbushën 23 vjet nga vrasja e politikanit e publicistit Xhemail Mustafa. Vrasja e tij kishte tronditur opinionin publik. Por kjo tronditje vazhdon edhe më tej, pasi ekzekutimi i tij në hyrje të banesës në Prishtinë në vitin 2000, mbetet ende i pazbardhur.

Nga plumbat e shkrepur nga persona ende të panjohur, ai u ekzekutua në hyrjen e  banesës së tij në Prishtinë.

E këto momente, ende i ka të freskëta, Beriana, vajza e Mustafës.  

"Reagimi im ka qenë emocional si çdo fëmijë, si çdo 18 vjeçare që mundet me pas një përjetim, sidomos një përjetim, ku 1 vit e gjysmë pas luftës del dhe e humb prindin në një formë të tillë, ku prindi të ka qëndru 3 muaj në luftë në Prishtinë dhe ka arrit me i shpëtu luftës dhe ai vritet 1 vjet e gjysmë pas besisht vetëm për motive politike, vritet në Prishtinë. Kjo është shokuse kjo është shumë e rëndë gjë të cilën e përjetojmë tash e 23 vite ne si familje", shprehet Berianë Mustafa, e bija e Xhemajl Mustafës.

Beriana thotë se më shumë e 10 vite prej se kur kanë nisur hetimet, asgjë nuk është bërë për zbardhjen e këtij rasti.

" I vetmi një rast i vogël që më bënë pak me mendu që ndoshta Gjyakata Speciale do të merret me rastin e tij, për faktin që Gjyakata Speciale ka thënë që do t'i trajtoj rastet e vrasjes deri në  31 dhjetor të vitit 2000 e bazuar në këtë, kjo si vrasje bjen në domenin e Gjykatës Speciale”, shprehet ajo.

Sidoqoftë, pavarësisht moszbardhjes së kësaj vrasjeje, çdo vit, figura e Mustafës përkujtohet në mënyra të ndryshme. Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se trashëgimia e tij do të jetojë përherë, teksa vizioni i tij për Kosovën e pavarur është testamenti i përmbushur.

Ndërkohë kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë ditës bëri  homazhe te varri i Xhemajl Mustafës. Ai e cilësoi Mustafën si ikonë të lëvizjes politike të viteve të 90-ta.

Gjatë ditës, Kuvendi i Kosovës mbajti një minutë heshtje në nderim të 23-vjetorit të vrasjes së veprimtarit të LDK-së.  Xhemail Mustafa u vra më 23 nëntor 2000 në Prishtinë në moshën 47 vjeçare, duke lënë pas vetes, gruan me dy fëmijë.


MË SHUME NGA Në Fokus