Ministrja belge: De-eskalimi, e vetmja mënyrë për paqen afatgjate
BKT
Foto: Edona Podvorica / RTK
Lajme

Ministrja belge: De-eskalimi, e vetmja mënyrë për paqen afatgjate

M.P. / RTKlive

(E përditësuar) Ministrja e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Hadja Lahbib, në vizitën e saj të parë në Prishtinë ka thënë se dialogu mes Kosovës e Serbisë është e vetmja formë për paqen afatgjate të rajonit.

“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një çështje që e kam ngritur edhe dje në Beograd, me të njëjtën porosi do e përçoj edhe këtu. E dimë se është bërë një përparim i dukshëm në normalizimin e marrëdhënieve, por tensionet janë ende të larta. E dimë nga përvoja se vetëm me dialog mund të shkojmë tutje, në një mënyrë të pranueshme për të gjithë popujt. Përgjigja që po e kërkojmë është de-eskalimi, kjo është e vetmja mënyrë për paqen afatgjate dhe që dy palëve do t’u jep mundësia e integrimit në BE”, ka deklaruar Lahbib në konferencën e përbashkët me homologen e saj, Donika Gërvalla.

Ajo tutje ka thënë se Belgjika ka qenë ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën, teksa ka përmendur diasporën shqiptare në Belgjikë, duke e çmuar për kontributin e tyre në jetën sociale.

 “Jemi të lidhur nga diaspora dinamike dhe gjithnjë në rritje e Ballkanit. Janë mijëra kosovarë të cilët e kanë shndërruar Belgjikën në shtëpi të tyre dhe janë bërë pjesë e integruar e jetës sociale të Belgjikës, duke kontribuar në rritjen ekonomike dhe kulturore”, ka thënë Lahbib.

Ndërkaq nikoqirja e takimit, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se ky takim u mbajt për thellim të marrëdhënieve ndërshtetërore. Ajo tha se e ka njoftuar homologen e saj për përparimin e Kosovës në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, reformat institucionale dhe reformat në përgjithësi.

“E përsërita përkushtimin e Kosovës në rrugën euro atlantike, duke pasur parasysh që Belgjika nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të kryesojë Bashkimin Evropian dhe i urova suksese në punën shumë sfiduese”, tha Gërvalla.

Konferenca ka qenë e mbyllur për pyetjet e gazetarëve, ndërkaq Lahbib do të takojë gjatë ditës edhe presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti.

Ministrja Punëve të Jashtme dhe e Çështjeve Evropiane të Belgjikës mirëpritet nga Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka mirëpritur ministren e Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane, Tregtisë së Jashtme dhe Institucioneve Federale të Kulturës të Belgjikës, Hadja Lahbib.

Pas takimit, pritet të ketë konferencë për media. 

Gjatë ditës, Lahbib do të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. 


MË SHUME NGA Lajme