Qeveria zotohet për reforma, si parakusht për përfitimin e fondeve nga BE
BKT
Lajme

Qeveria zotohet për reforma, si parakusht për përfitimin e fondeve nga BE

F.S / RTKlive

Delegacioni i Kosovës është takuar me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që kap shifrën prej 6 miliardë eurove në formë të granteve dhe kredive për të gjitha shtetet e rajonit.

Përmes një njoftimi për media thuhet se takimi i parë është mbajtur në Bruksel.

“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore: rritjen e integrimit ekonomik me Tregun e Bashkimit Evropian; rritjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal; përshpejtimin e reformave themelore; dhe rritjen e ndihmës financiare”, thuhet në njoftimin për media.

Në takim me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me delegacionin, diskutuan rreth reformave që Qeveria do t'i ndërmarrë në kuadër të agjendës së saj të reformave, e cila do të shërbejë si parakusht për përfitimin e fondeve nga plani i rritjes.

“Këto reforma do të jenë pjesë e disa shtyllave prioritare duke përfshirë: administratën publike, zhvillimin e sektorit privat dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit, energjinë dhe tranzicionin e gjelbër, kapitalin njerëzor dhe sundimin e ligjit”, thuhet në njoftim.  

Tutje në njoftim thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të ndërmarrë veprimet e nevojshme në përmbushjen e këtyre reformave, me qëllim të përfitimit maksimal nga ky plan.

Delegacioni i Kosovës përbëhej dhe nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.


MË SHUME NGA Lajme