Durmishi: Rrugët që mirëmbahen nga ministria janë të kalueshme
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka bërë të ditur se të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ministria janë të kalueshme.
Në një postim në Facebook, Durmishi ka njoftuar se që nga orët e hershme të mëngjesit janë në teren.
“Me 19 kontrata aktive të mirëmbajtjes që i kemi në gjithë territorin e Kosovës, që nga orët e hershme të mëngjesit jemi në teren. Aktualisht të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ministria janë të kalueshme”, ka shkruar Durmishi.
Ai ka kërkuar nga të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të lëvizin me kujdes duke ju përshtatur kushteve të rrugëve, dhe të mos dalin në rrugë pa pajisjet e obligueshme për sezonin e dimrit.
Ndryshe, bora ka zbardhur sot Kosovën dhe sipas IHMK-së reshje bore do të ketë edhe ditëve në vijim.























