Nagavci: Deri tani ndërtuam 4 çerdhe, 26 tjera janë në proces
M.P. / RTKlive
Nga viti 2021 e deri më sot, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë ndërtimin e 4 çerdheve, 26 i ka ende në proces, derisa ka adoptuar 6 hapësira të shkollave duke i shndërruar në institucione të arsimit parashkollor dhe 8 të tjera i ka në proces të tenderimit.
Kështu bëri të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në konferencën e sotme për media ku shpalosi raportin për ndërtimin e çerdheve.
“Këtë javë planifikojmë të vëmë gurthemelin për ndërtimin e tri çerdheve të reja, në Podujevë, në Deçan dhe në Prizren, për të vazhduar së shpejti edhe me ndërtimin e çerdheve tjera të cilat janë planifikuar tashmë”, ka thënë ajo.
Nagavci ka treguar se analiza e fizibilitetit për çerdhe të reja, e realizuar në bashkëpunim me UNICEF-in u ka ndihmuar në përmbledhjen e të dhënave për fëmijët që duhet të përfshihen në edukimin e fëmijërisë së hershme.
“Jemi angazhuar që të krijojmë kushte për përmirësimin e qasjes në edukimin në fëmijërisë së hershme, sepse ndajmë të njëjtin mendim se fëmijët meritojnë kujdes institucional për zhvillim të shëndetshëm”, ka deklaruar Nagavci.
Tutje, ajo ka thënë se është aprovuar Ligji për edukimin në fëmijërinë e hershme, teksa edhe ka filluar pilotimi i kurrikulës për këtë pjesë të sistemit arsimor.























