Kurti: Ushtrinë do ta mbështesim pa u kursyer
F.S / RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me rastin e 28 nëntorit ka shkruar se historikisht nëntori ka shënuar ngjarjet më të rëndësishme të popullit tonë.
Ngjarje të rëndësishme, Kurti ka renditur fitoren e Skënderbeut në Krujë, ngritjen e flamurit në Vlorë, ditëlindjen e Kryekomandantit Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së.
“Festës së 28 Nëntorit të këtyre ngjarjeve po i paraprijmë me Ditën e Forcës, ushtrisë sonë që është vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mishërim i trimërisë së Adem Jasharit, idealit të Adem Demaçit, dëshirës, vullnetit e ëndrrës së kamotshme të popullit tonë”, ka shkruar i pari i qeverisë së Kosovës.
Për këto 32 muaj qeverisje, Kurti tha se çdo ditë ka qenë dita e ushtrisë.
“Buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes e kemi rritur për më shumë se dyfish, investimet në armatimi për gati trefish, Forcës së Sigurisë ia kemi shtuar 1852 ushtarë të rinj e në vitin e ardhshëm do t’ia shtojmë edhe 600 rekrutë tjerë, kurse 3459 ushtarakë u trajtuan e shkolluan jashtë vendit”, ka shkruar kryeministri Kurti.
Ai është zotuar se ushtrinë do ta mbështesin pa u kursyer, sepse siç thotë Kurti, ajo është shtyllë e jona mbështetëse që nuk kursen.
“Urime Dita e Forcës!”, shkruan Kurti.























