Octopus: Institucionet serbe, lidhje e krimit e trashëgimisë gjenocidale
BKT
Lajme

Octopus: Institucionet serbe, lidhje e krimit e trashëgimisë gjenocidale

A.B/RTKlive

Instituti Octopus, vlerëson se Institucionet serbe janë një lidhje problematike e krimit dhe trashëgimisë gjenocidale.

“Themelimi së vonshmi nga drejtori i posa larguar, Aleksandër Vulin, i departamentit të nëntë në kuadër të Agjencisë Serbe të Inteligjencës BIA, nën drejtimin e Predrag Maqeshiç, është një shqetësim serioz për trajektoren që po ndjek Serbia, si dhe gërryerjen e mëtejshme të lirive civile atje. Sipas medieve serbe, departamenti i nëntë do të ketë kompetenca ekzekutive dhe do të jetë përgjegjës edhe për arrestimet.

“Lidhjet e afërta të Maqeshiç-it me kriminelët e famshëm si Milorad Ulemek dhe Zvezdan Jovanoviq, të dy nga periudha e Milosheviqit, vendos një hije të rëndë dyshimi mbi legjitimitetin dhe qëllimet e këtij departamenti të ri. Duhet të theksohet se bërthama e këtij departamenti të ri në kuadër të BIA-s vjen nga njësitet speciale të policisë serbe, SAJ”, shkruan Instituti Octopus.

Ky nuk është një zhvillim i izoluar; kjo reflekton orientimin e institucioneve serbe për të riangazhuar figura që asociohen me të kaluarën gjenocidale të Serbisë. Rehabilitimi i individëve me të kaluar të dyshimtë, përfshirë edhe këta me lidhje me krimin e organizuar dhe mizoritë e luftës, sinjalizon një trend shqetësues se Serbia nuk ka ndërmend të përkushtohet drejt progresit dhe një shoqërie më të drejtë dhe më demokratike.

Sipas këtij Instituti, implikimet e këtij trendi tejkalojnë kufijtë e Serbisë, dhe ngrenë pyetje rreth zotimit të këtij vendi për normat ndërkombëtare si dhe rolin në stabilitetin rajonal. Prezenca e vazhdueshme e individëve me histori dhune dhe aktivitet kriminal brenda institucioneve të Serbisë përfundimisht rrëzon kredibilitetin e këtij vendi për qasje serioze në raport me ballafaqimin me të kaluarën.

“Dalja në skenë e figurave nga koha e Milosheviqit brenda institucioneve të Serbisë nuk është thjesht një gjest simbolik; kjo mbart pasoja të rënda për demokratizimin e institucioneve të vendit si dhe vetë sigurisë së qytetarëve serbë. Emërimi i Maqeshiç, një njeri i afërt me krimin e organizuar, në një pozitë me autoritet brenda BIA-s, ngre shqetësime serioze për potencialin abuzues dhe gërryerjen e besimit në sundimit të ligjit. Për më tepër, rehabilitimi i individëve me lidhje me epokën e Milosheviqit rrezikon stërzgjatjen e tashmë kulturës së mirë-etabluar të pandëshkueshmërisë në shoqërinë serbe, duke minuar përpjekjet për të vendosur para drejtësisë ata që janë përgjegjës për mizoritë e luftrave të viteve 90-ta”, shkruan Instituti Octopus.

Instituti Octopu, vlerëson se themelimi së voni departamentit të nëntë brenda BIA nën udhëheqjen e Maćešić shërben si kujtesë e fortë e trashëgimisë gjenocidale serbe dhe vështirësive serioze për kultivimin dhe mirëmbajtjen e vlerave demokratike në këtë vend.

“Riangazhimi në institucione i individëve të lidhur me krimin e organizuar si dhe mizoritë e luftës përfaqëson një prapakthim jashtëzakonisht të madh në rrugën e Serbisë drejt ripajtimit, konsolidimit demokratik dhe ballafaqimit me të kaluarën”, shkruan Instituti Octopus.

 


MË SHUME NGA Lajme