Çollaku uron 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë
A.B/RTKlive
Esad Çollaku kryetar i Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, me urimet më të përzemërta uron 111 vjetorin e Pavarësisë, Ditës së Flamurit.
“Më 28 Nëntor, të gjithë shqiptarët, në trojet e tyre dhe kudo jetojnë e punojnë nëpër botë, kremtojnë me krenari dhe emocion, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Me 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Kjo ditë shënon pavarësinë e kombit shqiptar”, thuhet në urimin e tij.
Dita e shpalljes së Pavarësisë, që përkujtohet çdo 28 Nëntor, na nxit të mendojmë për fatet historike të Kombit shqiptar, dhe për vlerat që përmban Flamuri Shqiptar.
“Shfrytëzoj rastin që, në emrin tim personal dhe në atë të Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë t’i përcjell çdo shqiptari urimet më të përzemërta me rastin e 111 vjetorit të Pavarësisë, Ditës së Flamurit, me dëshirën që të jetojmë përherë të bashkuar, në harmoni me njëri tjetrin, duke kujtuar me krenari të kaluarën, duke mbrojtur të tashmen, dhe duke ndihmuar të ardhmen”, thuhet në urimin e Çollakut.























