Spahiu: Kosova e Shqipëria nuk kanë probleme sikur vendet e tjera
F.Sertolli / RTKlive
Sonte në RTK Prime, është diskuar rreth përvjetorit të 111 të Pavarësisë së Shqipërisë dhe rreth asaj se pse edhe pas më shumë se një shekulli, shqiptarët nuk janë bashkë.
Politologu Nexhmedin Spahiu, tha se Shqipëria se Kosova nuk kanë probleme të njëjta sikur kanë, sipas tij, disa kombe në Ballkan si Maqedonia e Veriut me Bullgarinë, ose Serbia me Malin e Zi.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të jetë inferiore ndaj Shqipërisë. Ai vlerësoi se karshi zhvillimeve në Shqipëri, Kosova po i bën vetëposhtërim vetvetes.
Madje ai ka kërkuar që edhe në Shqipëri të festohet 17 shkurti, sikur në Kosovë që po bëhet për 28 Nëntorin. Spahiu vlerësuar se shteti i Kosovës është rezultat edhe i mbështetjes nga Shqipëria.
Ndërkaq, historiani dhe veprimtari, Nuri Bexheti tha se përpjekjet e shqiptarëve të mbetur jashtë territorit të Shqipërisë nuk kanë ndaluar që nga 1912 e deri më tash për bashkim të të gjithë shqiptarëve në një shtet.
“Mirëpo me luftën e Kosovës ajo gjysma tjetër e mbetur jashtë shtetit shqiptar, gati është bërë dhe përafërsisht është rrumbullakuar”, tha Bexheti.
Se përse shqiptarët nuk janë bashkë edhe pas 111 vitesh, Bexheti thotë se shqiptarët nuk janë bashkë sepse edhe të tjerët nuk janë bashkë.
“Ka shumë shtete e kontinente me shumë copa që nuk janë bashkë. Kjo nuk është vetëm tek shqiptarët. Kujtoje Bullgarinë e Maqedoninë, Moldavinë e Rumaninë, Hungaria copë-copë, Polonia ka humbur pjesë të madhe të territorit, Gjermani sa është sot e madhe një të tretën e ka humbur, pra nuk jemi ne të vetëm që nuk jemi bashkë ka shumë popuj të tjerë që territoret e tyre nuk i kanë pjesë të vetën ”, tha Bexheti.
Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, Shefket Sadiku tha se Shqipëria dhe Kosova për ish të dënuarit politik, ka qenë është dhe do të jetë e bashkuar, deri në realizimin e këtij qëllimi.
“Ndërkaq, faktorët që i kanë lënë shqiptarët të ndarë, duhet të kërkojmë gjetkë. Pra për ish të dënuarit politik, Shqipëria ka qenë është dhe do të jetë e bashkuar, deri në realizimin e këtij qëllimi”, tha Sadiku.























