Ahmetxhekaj: Shuma 8.9 milionë euro, buxhet për mbijetesë të RTK-së
BKT
Në Fokus

Ahmetxhekaj: Shuma 8.9 milionë euro, buxhet për mbijetesë të RTK-së

M.Miftari/RTKlive

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, në Komisionin për Administratë Publike dhe Medie ka folur për aktivitetin dhe sfidat që po has transmetuesi publik, RTK, kjo për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm.

Ahmetxhekaj që në fillim të fjalës së tij vuri në dukje se Ligji për RTK qartëson dhe parashikon se deri në zgjidhjen përfundimtare të financimit të aplikohet 0.7 e të hyrave të përgjithshme, derisa sqaroi se kjo është ndaluar së aplikuari më 2015, sipas tij, padrejtësisht, “sepse është vlerësua se fjalia ne këtë ligj ku thotë:për një periudhë trevjeçare përfundon pavarësisht a realizohet ai parapagim”.

“Me qenë se financimi është detyrë e themeluesit, pra e Kuvendit të Republikë së Kosovës, nuk mundet që me arbitraritet të vendoset një shumë çfarë është aktualisht, 8.9 milionë euro për RTK, të cilat janë alokuar për një projeksion që ne nuk e dimë se çka është marrë parasysh, kur është alokuar kjo shumë direkte, mendoj që nuk i kontribuon zhvillimit e as pavarësisë së RTK-së, zhvillimit teknologjik, për të cilin ne jemi duke vuajtur qe 20 vjet, që do të thotë se s’ka pasur investime”, ka deklaruar Ahmetxhekaj.

Ai, më tej, ka folur për investimet, sidomos në Radio, që janë të domosdoshme, teksa përmendi investimet në sferën  teknologjisë, në fuqizimin e frekuencave, etj., derisa shtoi se sot është forcuar cilësia, por jo edhe fuqia e zërit, krejt kjo në mungesë të mjeteve të mjaftueshme për ta realizuar një gjë të tillë.

Tutje, Ahmetxhekaj ka folur edhe për projeksionin e RTK-së, për të cilin tha se është real.

“Projeksioni i RTK-së është real ai që kemi dorëzuar në Kuvend, te kryetari i Kuvendit, te komisionet përkatëse dhe që duhet të jetë në pajtim me 0.7 %. Në qoftë se refuzohet një gjë e tillë, atëherë duhet të na jepet një bazë pak më e arsyeshme se pse po refuzohet një financim i RTK-së në bazë të ligjit”, deklaroi Ahmetxhekaj.

Ai, më tej, theksoi se me shumën 8.9 milionë euro, thjeshtë është mbijetesë, sikurse në vitin e kaluar.

Boletini: RTK është në rrugë të duhur, por buxheti është tejet i vogël

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka diskutuar sot në lidhje me kërkesat buxhetore për Projektligjin nr. 08/L-260 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024.

Besnik Boletini, kryetar i Bordit të RTK-së, në mbledhjen e Komisionit në fjalë fillimisht pati vërejtje në ndarjen e buxhetit për  transmetuesin publik, i cili tha se është tejet i vogël, sikundër edhe para dy vjetëve paraprakisht, derisa përmendi shumën për 2.3 milionë euro shtesë.

 “Gjatë kësaj periudhe që jemi në mandat kemi dëshmuar me veprime e vendime të ndryshme se RTK është në rrugë të duhur dhe kemi një menaxhim shumë më të mirë, një kontroll shumë më të mirë financiar , që do të thotë se kemi nevojë dhe meritojmë më shumë mjete financiare”, deklaroi Boletini.

Ai shtoi se përveç buxhetit që është më i paktë, RTK ka trashëguar 1.6 milionë euro borxhe, që siç u shpreh Boletini, ka qenë një kokëçarje përgjatë këtyre dy vjetëve, ngase, sikundër tha ai, kanë qenë nën kërcënime të vazhdueshme nga përmbaruesit privatë.

“Por, pavarësisht gjendjes së rënduar, kemi arritur t’i shlyejmë rreth 300 mijë euro, duke vënë ligjshmëri, që nënkupton që disa njerëz që nuk kanë punuar, janë larguar”, deklaroi Boletini,

Ai më tej foli për numrin e punëtorëve në RTK dikur dhe tani, duke vënë në pah se në fillim të mandatit të këtij bordi në RTK kanë qenë 1005 punëtorë, ndërkaq tani janë 728, ose 277 punëtorë më pak e që “shumica e këtyre vendimeve kanë qenë në  kuadër të zbatimeve të ligjshmërisë”.

Boletini, lidhur me zbatimi e ligjshmërisë e përmendi raportin e ZKA-së, sipas të cilit krahasuar me vitin 2021, menaxhimi në aspektin financiar është dukshëm më i mirë.


MË SHUME NGA Në Fokus