Haradinaj për gjykimin në Hagë: Do të vërtetohet pafajësia e luftëtarëve
BKT
Lajme

Haradinaj për gjykimin në Hagë: Do të vërtetohet pafajësia e luftëtarëve

M.P / RTKlive

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot procesin gjyqësor ndaj tij në Tribunalin e Hagës, në 11-vjetorin e kësaj ngjarje.

“Pas marrjes së aktakuzës së parë, filloi një proces i gjatë gjyqësor. Që nga ajo ditë e deri më 29 nëntor 2012, zgjati ndjekja ligjore ndaj meje. Edhe pse në aktgjykimin e parë u lirova si i pafajshëm, gjatë shqyrtimin në shkallën e dytë u vendos për rigjykim. I gjithë ky proces gjyqësor zgjati më shumë se 8 vjet, ku përfundimisht sot para 11 vjetësh, mora aktvendimin e pafajësisë i cili vulosi pafajësinë time dhe të bashkëluftëtarëve të mi, për luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se përgjatë këtij procesi ka pasur mbështetjen përveç të rrethit, edhe të institucioneve. Haradinaj theksoi se njësoj do të vërtetohet pafajësia e bashkëluftëtarëve tjerë që po gjykohen aktualisht në Hagë.

“Edhe atë kohë kishim ndjenjën që drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por megjithatë kur erdhi ishte lehtësim i madh, çlirim nga padrejtësitë që ndodhën gjatë procesit. Po ashtu sot besoj që do të vërtetohet pafajësia dhe pastërtia e bashkëluftëtarëve që janë duke u përballë me sfidën e radhës në Hagë. Ata shkuan si çlirimtarë atje, ashtu do të kthehen”, ka shkruar kreu i AAK-së.

 


MË SHUME NGA Lajme