Molliqaj dhe pesë aktivistë të PSD-së ndalohem për 48 orë
B. H. | RTKlive
(E plotësuar) Prokuroria ka vendosur që kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj dhe aktivistëve, Zgjim Hysenit, Nol Nushit, Agron Kabashit, Korab Korçes, Gent Brahimit t`iu jepet masa e ndalimit për 48 orë, ka bërë të ditur PSD.
“PSD izolohet që Trendafilovës t'i bëhet vizita sa më normale. Por lufta e saj për imazh është e humbur. Prokuroria ka vendosur që kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, Zgjim Hysenit, Nol Nushit, Agron Kabashit, Korab Korçes, Gent Brahimit t'iu jepet masa e ndalimit për 48 orë. Për ne ky vendim është politik dhe i padrejtë. Kështu po provohet ta ndalin zërin opozitar, ta relativizojnë padrejtësinë e Gjykatës Speciale. Për PSD-në ky vendim është i papranueshëm dhe kërkojmë lirimin e aktivistëve tonë”, thuhet në njoftim.
PSD kërkon lirimin e aktivistëve të arrestuar në protestën e sotme
Partia Socialdemokrate kërkon lirimin e menjëhershëm të gjashtë aktivistëve të saj, të cilët u arrestuan gjatë protestës së sotme në kundërshtim të Gjykatës Speciale.
Në protestën e zhvilluar në kryeqytet, pas hedhjes së tymuesve në hyrje të hotelit ku kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova po qëndronte në një takim me shoqërinë civile u arrestuan kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj dhe aktivistët Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi dhe Gent Ibrahimi.
“Kjo është përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për gjykatën e padrejtë speciale. Metodat frikësuese neve nuk na ndalin. Gjykata është raciste, e padrejtë dhe segreguese. Rezistenca vazhdon. Z. Trendafilova nuk është e mirëseardhur. Policia mund ta garantojë sigurinë fizike, por jo imazhin e një kryesuese të një procesi të padrejtë. Kërkojmë urgjentisht të lirohen aktivistët tonë!”, thuhet në reagimin e PSD-së.
PSD hedh tymuese kundër Trendafilovës, prangosen Molliqaj e Nushi
Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion në formë proteste për të kundërshtuar vizitën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.
Aksioni protestues është zhvilluar në Prishtinë, në afërsi të ambientit ku Trendafilova ka mbajtur një takim me përfaqësues të shoqërisë civile.
Aktivistët e këtij subjekti politik kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet: “TrendafilOUT”, “UÇK-ja nuk mund të gjykohet”, “Historia është shkruar, propaganda ka dështuar”, teksa në hyrje të hotelit ku ka qenë Trendafilova është hedhur tymues.
Me këtë rast, policia ka intervenuar duke hedhur gaz lotsjellës, teksa ka prangosur kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj dhe sekretarin organizativ, Nol Nushi.























