BE e UNDP mbështesin OSHC-të në nismat për drejtësi tranzicionale
BKT
Lajme

BE e UNDP mbështesin OSHC-të në nismat për drejtësi tranzicionale

M.Miftari/RTKlive

Projekti rajonal i financuar nga BE dhe i zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ka nënshkruar sot marrëveshje me nëntë organizata të Shoqërisë Civile për të mbështetur punën e tyre në adresimin e sfidave me të cilat përballet shoqëria kosovare pas konfliktit, si dhe për avancimin e kauzës për paqe dhe pajtim.

Përmes një komunikate për medie bëhet e ditur se BE dhe UNDP ka nënshkruar marrëveshje me OSHC-të në përpjekje të përbashkët për të rritur përgjegjësinë mbi krimet e luftës, për të promovuar drejtësinë tranzicionale, për të inkurajuar dialogun ndëretnik, si dhe për të fuqizuar të mbijetuarit e dhunës seksuale të ndërlidhura me konfliktin në Kosovë.

“Nëntë OShC u përzgjodhën përmes thirrjes të parë dhe të dytë për projekt propozime, duke përfshirë Kosovo 2.0, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Qendra për Zgjidhje Alternative të Kontesteve, Fondacioni Jahjaga, Instituti për Studime Politike në Prishtinë, OJQ Avoko, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Medica Gjakova, dhe Demokraci Plus. Marrëveshjet u nënshkruan në prani të Nuno Queirós, përfaqësues i përhershëm i UNDP-së dhe Jarmo Feliks Helppikangas, Shef i Seksionit për Sundimin e Ligjit dhe të Drejtat e Njeriut në Zyrën e BE-së në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Me këtë rast, Queiros theksoi se kjo ngjarje është pasqyrim i përkushtimit të përbashkët për të inkurajuar partneritetin avancimin dhe përkushtimin e mëtejmë në drejtësisë tranzicionale, si dhe përpjekjet e partnerëve të shoqërisë civile në formësimin e një të ardhme më të qëndrueshme dhe në harmoni për Kosovën.

Nga ana tjetër, Jarmo Helppikangas shtoi se BE ka mbështetur iniciativat në drejtësi tranzicionale, si në nivel rajonal, ashtu edhe në nivel lokal, të cilat synojnë forcimin e llogaridhënies mbi krimet e luftës të kryera gjatë viteve 1990 si dhe promovimin e pajtimin në rajon.

“Ne mbetemi të përkushtuar në vazhdimin e mbështetjes tonë dhe ne do të donim të shohim më shumë iniciativa lokale mbi këto çështje", thuhet në fund të komunikatës së UNDP-së.


MË SHUME NGA Lajme