Nuk ka kuorum për votimin e Projektligjit për Fondin Sovran
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

Nuk ka kuorum për votimin e Projektligjit për Fondin Sovran

M.Miftari/ RTKlive

(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet e seancës së dytë në mungesë kuorumi.

Në rend dite ishte shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Fondin Sovran të Kosovës, mirëpo nuk është hedhur në votim për shkak të mungesës së deputetëve.

Qeveria e lavdëron Raportin e KE-së, opozita e vlerëson të dobët

Qeveria dhe deputetët e pushtetit e kanë lavdëruar Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023, teksa deputetët e opozitës e kanë quajtur atë si raportin më të dobët që ka marrë ndonjëherë vendi.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka quajtur raportin një "flakaresh për Qeverinë Kurti" dhe ka theksuar se “mosfunksionalizimi i Kuvendit dhe instalimi i energjisë kriminale brenda institucionit tregojnë mungesën e përgjegjësisë dhe seriozitetit të Qeverisë”.

Ajo gjithashtu ka theksuar se kjo kritikë e raportit për Kuvendin tregon se qeveria "po tallet me vendin dhe me të ardhmen tonë".

E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka cilësuar raportin si "vlerësimin më të dobët e më të rreptë që ndonjë qeveri e ka marrë ndonjëherë". Ai ka thënë se qysh në fillim e kritikuar vendimin e Kurtit që Besnik Bislimit krahas detyrës së zëvendëskryeministrit t’I jap edhe detyrën për integrim evropian.

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka theksuar se mungesa e reagimeve pozitive nga qeveria në lidhje me raportin tregon se ai nuk ka qenë në favor të Kosovës.

Përgjatë reagimeve të opozitës, është theksuar se Raporti i KE-së ka përmendur nevojën për përmirësimin e menaxhimit të brendshëm të Kuvendit, funksionalizimin e votimit elektronik dhe hartimin e një plani vjetor të punës. Opozita i ka interpretuar këto rekomandime si një diagnozë politike që “dëshmon për një qeveri të paaftë për integrim evropian”.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrat dhe deputetët e pozitës i kanë mohuar kritikat dhe kanë lavdëruar raportin, duke e quajtur një vlerësim të suksesshëm për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Rizvanolli: Kosova ka bërë përparim në sektorin e energjisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në seancën e sotëm të Kuvendit të Kosovës, ku po debatohet për raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023, ka folur për sektorin e energjetikës, teknologjisë së informacionit, etj.

Sipas saj, raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023 liston një sërë arritjesh në fushat e energjisë, teknologjisë së informacionit të shërbimeve postare, etj..

“Kosova ka bërë përparim në sektorin e energjisë duke përfshirë këtu edhe miratimin e strategjisë së energjisë. Në maj të vitit 2023 Kosova ka lansuar ankandin e parë për 100 MW për energji solare, ka pasur rritje të investimeve në BRE dhe shumë projekte të BRE-ve me erë dhe energji solare, tanimë të planifikuar”, ka deklaruar Rizvanolli.

Tutje, ajo foli për investime në  sektorin e energjisë, në ndërtesa publike dhe rezidenciale, në përputhje me pakon në përkrahjen të sektorit të energjisë, etj.

Hajdari: Progres në kornizën legjislative në përputhje me direktivat e BE-së

Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po debatohet për raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023, ka folur për vlerësimi e bërë në këtë raport.

Sipas saj, në raport bëhet fjalë për punën e Ministrisë që ajo e udhëheq që është arritur progres i dukshëm, në veçanti në kornizën legjislative në përputhje me direktivat e BE-së.

“Republika e Kosovës, sipas raporti të Progresit të Komisionit Evropian për periudhën qershor 2022-qershor 2023, ka progres të dukshëm, në veçanti duke plotësuar kornizën legjislative në përputhje me direktivat e BE-së të hartuar nga MINT-i”, deklaroi ministrja Hajdari.

Tutje, ajo ka folur për arritje në agjensione të ndryshme në mbikëqyrjen e tregut.

Nagavci: Në raport përmenden rezultate në arsim që ka ende nevojë për investime

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku po debatohet për raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023 ka folur për sistemin arsimor në vend.

“Raporti i fundit i për vendin e njeh përparimin e reformimit sistemit të arsimit në përafrimin me nevojat e tregu të punës”, deklaroi ministrja Nagavci.

Ajo, më tej, tha se është e pamundur të shihen rezultatet në arsim brenda dy vjetësh.

Ministrja Nagavci tha se në raport përmenden rezultate në arsim, që ka ende nevojë për investime dhe përmirësim.

Ajo përmendi shifrat në rritje në investime në  sektorin e arsimit në këtë vit.

Bislimi: Kosova beson në të ardhmen e vet evropiane

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës,  Besnik Bislimi, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka reaguar ndaj kritikave të opozitarëve, duke shpërfaqur qëndrimet e qeverisë në proceset në të cilat ndodhet Kosova.

Ai tha se agjenda e reformave evropiane nga qeveria është trajtuar me seriozitet.

“Agjenda e reformave në qeverisjen e tanishme është trajtuar me seriozitet. Mobilizimi për të kapur hapin e procesit të integrimit evropian pas stagnimit disavjeçarë po jep frytet e veta”, deklaroi Bislimi.

Ai bëri të ditur se raporti i fundit i muajit nëntor përfshin zhvillimet nga muaji korrik i vitit të kaluar deri në muajin qershor të këtij viti e që, sipas tij, është raporti i parë pas aplikimit për anëtarësim të Kosovës në BE dhe pas aplikimit për liberalizim të vizave nga një janari të vitit 2024.

Bislimi, më tej, foli për pakon e BE-së për zgjerim, duke përmendur Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Bosnjën, që, sipas tij, kjo është me rëndësi strategjike në përshpejtimin e zgjerimit të BE-së dhe në ofrimin e sigurisë, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

“Procesi i anëtarësimit në BE duhet të jetë në plotni i bazuar në meritokraci. Kosova beson në të ardhmen e vet evropiane dhe, si shembull i demokracisë në rajon, duhet t’i jepet mundësia që këtë ta dëshmojë”, deklaroi Bislimi.

Ai bëri të njohur faktin që kryeministri i Kosovë,  Albin Kurti, më 15 dhjetor të vitit të kaluar, gjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE. 

Zemaj: Sektori i shëndetësisë nuk është prioritet i qeverisë aktuale

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës,  ka shprehur kritika ndaj qeverisjes aktuale lidhur me raportin e  Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023.

Ai kritikat e tij i drejtoi në sferën e shëndetësisë dhe në raportin e Progresit, ku, sikundër u shpreh ai, janë faktuar kritikat e LDK-së lidhur me këtë çështje, por që janë anashkaluar nga qeveria aktuale.

“Në këta 32 muaj e një javë të kësaj qeverie nuk është marrë në prioritet fare”, deklaroi deputeti Zemaj.

Pozita dhe opozita me qëndrime të ndryshme për Raportin e KE-së

(E plotësuar, ora 10:40) Ka nis seanca e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën. Në fillim të seancës deputet të opozitës kritikuan Qeverinë për regres në Raportin e Komisionit Evropian. Por kjo është mohuar nga pozita.

“Po ashtu në raport theksohet se ka munguar komunikimi i mazhorancës me opozitën. Sa i përket politikes së jashtme një gjë e vetme pozitive përmendet që Kosova ka aplikuar në Këshill, asnjë fjalë e mirë tjetër për Kosovën nuk është shkruar e kjo me të vërtetë është shqetësuese”, ka deklaruar Reçica.

Kurse, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka thënë se Kosova vazhdon të mos angazhohet në të ardhmen evropiane.

“Nuk kemi arritur nga qeveria të shohim mendime për këtë raport që pasi vitin e kaluar menjëherë si është publikuar kanë dal me deklarata. Kjo tregon që raporti nuk është i mirë”, ka theksuar ajo.

Kurse, deputetja Fjolla Ujkani e cila ka folur në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për raportin e Komisionit Evropian për vendin. Ajo ka thënë se raporti është më pozitiv për Kosovën krahasuar me raportet e viteve paraprake.

“Ky raport adreson progresin që Kosova e ka bërë në shumë fusha, sidomos në ato që kanë të bëjnë me ekonominë, tregun e lirë dhe përafrimin me standardet e BE-së. Prandaj, mund të thuhet që Kosova ka përmbushur shumicën e kritereve dhe reformave të kërkuara dhe është në rrugën e duhur të integrimit, pra në anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Raporti, megjithatë, kërkon shqyrtim kritik. Raporti nuk pasqyron plotësisht përpjekjet dhe hapat e pandërprerë të Qeverisë tonë për ta drejtuar Kosovën drejt një të ardhme të ndritshme dhe më evropiane”, ka theksuar ajo.

Tahiri: Raporti i KE-së për punën e Qeverisë tejet shqetësues

N.N./RTKlive

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në seancën e sotme parlamentare, ka thënë se Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, për vitin 2023, është shqetësues, është më i dobëti që një qeveri e Kosovës e ka marrë ndonjëherë.

“Ky është vlerësimi më i ashpër, më i rreptë që ndonjëherë ka marrë qeveria e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Ai shtoi se Aleanca për ardhmërinë e Kosovës ka analizuar Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023, dorëzuar Qeveris.

“Në atë raport fjala progres përmendet 205 herë. Në këtë raport thuhet, 32 herë ka mungesë te progresit, 49 herë se ka progres të mangët, 59 herë se ka njëfarë progresi, 42 herë thuhet se është bërë progres, 15 aspektete të tera. Vetëm 8 herë se ka progres të mirë”, ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit, kjo qeveri do të mbahet mend për numrin rekord të zyrtarëve të lartë, sekretarëve permanentë dhe drejtorëve me funksion si ushtrues detyrës.

“Sipas vlerësimit të Komisionit, kjo ka ndikuar në dobësimin e cilësisë dhe performancës e administratës publike. Po ashtu, theksohet edhe në kritikë që i është bërë ligjit antikushtetues i emërimeve të larta në poste menaxheriale, të cilat kanë pasur për qëllim instalimin e vendimmarrjes partiake. Pra, politizimit të administratës në dëm afatgjatë të agjendës evropiane dhe shtetërore”, ka thënë pos tjerash Tahiri.

Kuvendi sot do të debatojë për raportin e KE-së për Kosovën

A.B /RTKlive

Kuvendi i Kosovës sot mban debat parlamentar në lidhje me raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023, pikë e mbetur nga seanca e kaluar, si dhe do të trajtojë një varg pikash të tjera të papërfunduara.

Pikat e tjera janë: Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore, votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe votimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Po ashtu në rend dite janë: Shqyrtimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028, formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë, propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës, emërimi i Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës, zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar dhe zgjedhja e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Po ashtu Kuvendi sot nga ora 16:00 mban seancë të re, për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, shqyrtimin e disa projektligjeve të tjera dhe raporte të institucioneve të pavarura. 

Në rend dite janë: Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm, votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm, votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-238 për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-245 për Artin dhe Kulturën, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-261 për mbrojtje nga zjarri dhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Bankës Qendror të Republikës së Kosovës, për vitin 2022.


MË SHUME NGA Lajme