Hoxha vizitoi policët e plagosur në operacionin ndaj grabitësve në Suharekë
E. Hoti / RTKlive
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka vizituar policin e plagosur dhe atë të lënduar, të cilët intervenuan në arrestimin e grabitësve të armatosur në rastin e Suharekës.
Në njoftimin për media u tha se po ashtu në orët e pasdites, drejtori Hoxha vizitoi në SHSKUK edhe zyrtarin policor, i cili u plagos sot gjatë realizimit të operacionit policor për identifikim dhe arrestim të grabitësve të rastit në Suharekë.
Plagosja e zyrtarit ka ndodhë si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri drejt policisë nga njëri prej grabitësve.
Në njoftim u tha se veprimet profesionale të zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje u detyruan të përdorin forcën proporcionale, bënë neutralizimin e grabitësit që shtiu me armë zjarri, si dhe arrestimin e disa të dyshuarve tjerë.
Drejtori Hoxha u dëshiroi shërim të shpejtë zyrtarëve policorë dhe i falënderoi ata për punën, guximin dhe përkushtimin e vazhdueshëm për t'i shërbyer qytetarëve dhe vendit.























