Përfundon seanca e Kuvendit, shumë nga pyetjet mbesin pa përgjigje|VIDEO
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

Përfundon seanca e Kuvendit, shumë nga pyetjet mbesin pa përgjigje|VIDEO

M.Pasoma &A.Bela / RTKlive

(E plotësuar, 14:10) Ka përfunduar seanca tri orëshe e Kuvendit të Kosovës. Në mungesë të kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave të kabinetit qeveritar, shumë prej pyetjeve parlamentare kanë mbetur pa përgjigje.

Në ndërkohë kjo seancë ishte e thirrur ekskluzivisht për pyetjet e deputetëve. Numri i ulët i pjesëmarrësve në Kuvend shkaktoi pakënaqësi të cilat i shprehën deputetët e opozitës. Kjo u dallua edhe me braktisje të seancës kohë pas kohe.

Ndërkaq ministrat të cilët qenë prezentë për t’i dhënë përgjigje deputetëve ishin Hajrulla Çeku, Arbërie Nagavci, Faton Peci, Arben Vitija, Elbert Krasniqi.

Live|Çeku: Shumë komuna nuk po i kryejnë përgjegjësitë e tyre

(E plotësuar, ora 14:00) Po vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se procesi i ndërtimit të Memorialit “4 dëshmorët” në Kaçanik ka stanguar për shkak të mos kryerjes së obligimeve nga ana e komunës. 

“Ky Memorial do të ndërtohet. Komuna i ka dy obligime, lokacionin i cili nuk është përcaktuar ende dhe hartimi i projektit. Shumë komuna nuk po i kryejnë përgjegjësitë e tyre, ndërkaq kodet po barten nga viti në vit dhe kjo po na pamundëson që buxhetin me e përdorë për projekte tjera që janë më të gatshme për t’u realizuar”, ka thënë drejtuesi i kulturës.

Ai ka thënë se pjesa më e madhe e buxhetit të MKRS-së shkon për projekte komunale. Si rrjedhojë, procesi do të vazhdojë tutje atëherë kur komuna t’i përmbush obligimet e saj.

“Rëndësia e këtij Memoriali as që diskutohet, sidomos kur po flasim për gra që kanë rënë, për heroina të Kosovës, do të bëhet. Por duhet të sigurohemi edhe që komuna do t’i kryejë obligimet e veta. Hapja e kodit dhe mobilizimi i buxhetit është çështja më e vogël, sepse atëherë kur t’i kemi edhe lokacionin edhe projektin zbatues, buxheti do të jetë në dispozicion për fillimin e ndërtimit të Memorialit”, ka thënë Çeku.

Live|Nagavci nuk përgjigjet pa votuar PDK marrëveshjet ndërkombëtare

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka refuzuar t’iu përgjigjet pyetjes së deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha, rreth edukimit parashkollor. Nagavci ka thënë se këtë përgjigje do ta jap atëherë kur kjo parti të votojë marrëveshjet ndërkombëtare.

“Për shkak të qëndrimit të mos përgjigjes derisa PDK të voton marrëveshje ndërkombëtare, unë nuk mund të jap përgjigje të detajuar. Ju ftoj që njëherë të votoni marrëveshjet që janë me interes për qytetarët e pastaj vazhdojmë me të gjitha çështjet tjera”, ka thënë Nagavci.

Eliza Hoxha i ka replikuar udhëheqëses së arsimit, duke thënë se sipas saj, janë ndërtuar çerdhet vetëm në komunat ku udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Krasniqi premton ujë të pijes për dy vjet për dy fshatra dhe dy lagje në Fushë Kosovë

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka folur rreth projektit i cili do të sigurojë ujin e pijes për fshatrat, Bardhi i Madh dhe Sllatinë e Madhe dhe për dy lagje në Fushë Kosovë.No description available.

Krasniqi ka premtuar që banorët e kësaj pjese për dy vjet do të kenë ujin e pijes.

“Ditët në vijim do të fillojmë punimet rreth implementimit të projektit, i cili është dy vjeçar dhe jemi shumë optimist që gjatë vitit tjetër këto dy fshatra dhe dy lagje në Fushë Kosovë do të furnizohen me sistemin e ri të ujit të pijes, i cili do të ketë furnizim nga fabrika në Shkabaj dhe nga rezervuari i ujit në Fushë Kosovë”, ka deklaruar Elbert Krasniqi.

Live|Peci: Kompensimi i dëmeve nga vërshimet do të bëhen nga MPB

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se vlerësimi dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, tash e tutje do të ndodhin nga Sekretariati i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Çështjen e kompensimit të dëmeve të të gjitha sektoreve, por edhe të bujqësisë, tash e tutje do të kompensohet nëpërmjet Sekretariatit. Qeveria në njërën nga mbledhjet e kaluara ka bërë kompensimin e të gjitha kategorive e dëmeve, e që besohet se është e bazuar në vlerësimin e Sekretariatit në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka deklaruar Peci.

Live|Vitia: Nuk ka listë të pritjes për raste urgjente

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se rastet urgjente të QKUK-së dhe në qendrat e mjekësisë familjare nuk presin për të marrë shërbimet e tyre mjekësore.

“Asnjë rast urgjent nuk pret, nuk ka listë të pritjes për raste urgjente, trajtohen në momentin kur vijnë”, ka thënë i pari i shëndetësisë sot në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se po punohet që listat e pritjes të zvogëlohen në periudha kohore.

“Vetëm dy klinika kanë lista të pritjes përmbi një vit, e që janë Kirurgjia Vaskulare dhe Ortopedia. Kurse pjesa tjetër prej 0,2% pritja është deri në një javë, 18,5% është deri në një muaj, 1,8% është deri në 2 muaj, 2,1% është deri në 3 muaj, 23% është 1 deri në 3 muaj, 11% është 11,6 muaj dhe 15% është deri në një vit”, ka deklaruar Vitia.

Live|Çeku: Ndërtimet e stadiumeve do të bëhen në tjetër formë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, iu është përgjigjur pyetjeve të deputetit Armend Zemaj në seancën e sotme të Kuvendit lidhur me stagnimin e ndërtimit të stadiumit “Mustaf Çekaj” në Irzniq të Deçanit.

Çeku ka thënë se stadiumi është procesuar me projekt të mangët.

“Kontrata ka precizuar afat prej 150 ditësh për përfundimin e punimeve, operatori i përzgjedhur as nuk kishte nënshkruar planin e menaxhimit të kontratës e as nuk kishte nisur me dinamikë të duhur të punëve në terren”, ka deklaruar i pari i sportit.

Ai ka njoftuar se do të bëhet shkëputje e kontratës dhe tash e tutje procedurat e ndërtimeve dhe ndërhyrjeve në stadiumet e vendit do të bëhen në tjetër formë.

“Vazhdimi i punës në këtë stadium dhe stadiumet në gjithë Kosovën po rregullohet me planin e konsolidimit të infrastrukturës së futbollit me grup profesional e me bashkëpunim me të gjitha nivelet”, ka deklaruar Çeku.

Live|Seanca e Kuvendit të Kosovës

(E plotësuar, ora 12:20) Seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon me polemika dhe kundërshtime nga ana e deputetëve.

Ata kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për mungesën e kryeministrit dhe ministrave në seancën e thirrur për pyetjet e deputetëve.

Një pjesë e deputetëve prezentë në këtë situatë e kanë pasur të pamundur të shprehin pyetjet e tyre ndaj ministrave Hekuran Murati, Xhelal Sveçla, Liburn Aliu, Arbërie Nagavci dhe të tjerë.No description available.

(E plotësuar, ora 11:50) Ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës. Në këtë seancë, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci bëri me dije se sot në këtë seancë nuk janë prezent kryeministri dhe disa ministra.

Deputetja e Kuvendit nga PDK, Ganimete Musliu, tha se nuk është serioze që kabineti qeveriar nuk mund të merr pjesë në seancës së sotme.

Deputetët për tri orë do të adresojnë pyetje për kabinetin qeveritar

Sot Kuvendi i Kosovës në rend dite ka një seancë që u kushtohet tërsisht pyetjeve të deputetëve.

Me fillim nga ora 11:00, Kuvendi do të mbajë një seancë të veçantë, gjatë të cilës deputetët për tre orë do të adresojnë pyetje për kabinetin qeveritar. 

 


MË SHUME NGA Lajme