Grabitja e armatosur në Suharekë, nga 1 muaj paraburgim për të arrestuarit
M.Miftari/RTKlive
(E plotësuar) Gjykata Themelore në Prizren u ka caktuar nga një muaj paraburgim katër prej të dyshuarve, për grabitjen në argjendari në qytetin e Suharekës. Tre prej tyre dyshohen për veprën penale ‘grabitje’, ndërsa njëri për veprën penale ‘armëmbajtje pa leje’.
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton se ka caktuar masën paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurve me inicialet B.B., B.I., L.C., T.B., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë veprën penale grabitje në një argjendari në Suharekë.
"Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se B.B., B.I., dhe L.C., më 22 nëntor, në ora 15:45 në Suharekë, në lokalin argjendaria “Diakos 2”, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze, duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T.B. dhe A.B.", thuhet në komunikatë.
Tutje bëhet e ditur se me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme, të pandehurit B.B., B.I., K.G., D.G., dhe L:C., që të gjithë të maskuar, të veshur me rroba të zeza dhe me doreza në duar, të gjithë të pajisur me armë frontale të gjata, njëri prej tyre me armë të gjatë në duar kryen rolin e rojës ndërsa të tjerët futen brenda në argjendari dhe nën kërcënimin e armëve marrin peng pronarin e lokalit të cilin e lidhin me lidhëse plastike për të neutralizuar rezistencën e tij dhe pastaj fillojnë me grabitjen e arit duke demoluar vitrinat dhe xhamat, ku edhe arrijnë të marrin ari duke shkaktuar humbje në shkallë të madhe.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, dhe do të merret në pyetje të pandehurit e arrestuar, të dëmtuarit, dhe dëshmitarët eventual.
"Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohen të pandehurit, dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, duke ndërmarrë veprime të rrezikshme, këto veprime të të pandehurve tregojnë këmbëngulësin e tyre në kryerjen e veprës penale, të gjitha këto shtojnë dyshimin se me lënien e të të pandehurve në liri të njëjtit mund të përsëris veprën penale, kjo duke u bazuar në faktin se të njëjtit edhe më herët ishin kryerës të veprave penale të ngjashme", thuhet në njoftim.
Ndryshe, seanca gjyqësore në gjykatën Themelore në Prizren u mbajt pa praninë e medieve.
Grabitësit e argjendarisë në Suharekë sillen në gjykatë
M.Sh/RTKlive
Në Gjykatën Themelore në Prizren i kanë sjellë grupin e grabitësve të argjendarisë në Suharekë. Ky grup i armatosur ka plagosur dy policë, njërin në ditën e grabitjes dhe njërin dje në lagjen Arbëria të Prishtinës, gjatë përpjekjes së policisë për t’i arrestuar grabitësit.
Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion në një argjendari në Prishtinë, nën dyshimin se ka blerë arin e vjedhur në argjendarinë e plaçkitur në Suharekë.
Kujtojmë, se një ditë më partë policia ka vrarë njërit prej të dyshuarve për grabitje, pasi i njëjti sipas policisë, ka shtënë në drejtim të forcave të rendit.























