Vrasja e Liridona Murselit, konfirmohet arrestimi i personit të tretë
M.Miftari/RTKlive
(E plotësuar) Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, konfirmon për RTK-në, se është arrestuar edhe personi i tretë i dyshuar në vrasjen e Liridona Murselit, të mërkurën në Prishtinë.
Ulaj bëri të ditur se pak kohë më parë, i njëjti është dërguar në stacionin policor për t’i kryer procedurat.
“Me aktvendim mbi ndalim nga Prokuroria e Shtetit nga departamenti i krimeve të rënda të tre të dyshuarit do të ndalohen do t mbahen në kohëzgjatje prej 48 orësh”, tha në “Lajmet e fudit”, në RTK, Laureta Ulaj.
Tutje, ajo tha se në këtë fazë të hetimeve nuk mund të japin të dhëna të tjera.
Mësohet se njëri nga të arrestuarit është Naim Murseli, bashkëshorti i të vrarës, Liridona Murseli.
Vrasja e Liridona Murselit, në mesin e të arrestuarve edhe një pjesëtar i FSK-së
N. M. /RTKlive
Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se në mesin e të arrestuarve, si të dyshuar në vrasjen e Liridona Murselit, në Prishtinë, është edhe pjesëtari i FSK-së, K.K.
“Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi. Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së viktimës. Siguria dhe mbrojtja e qytetarëve tanë është obligim!”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
Prokuroria: Arrestohet Naim Murseli, dyshohet për vrasjen e bashkëshortes
(E plotësuar) Prokurorja e Prokurorisë Speciale nga krimet e rënda, Besa Limani, ka konfirmuar për RTK-në se njëri prej të arrestuarve është bashkëshorti i së ndjerës, Liridona Murseli, kurse tjetri është personi që dyshohet se e ka vrarë atë.
"Ende nuk dihen motivet. Ende nuk është caktuar masa e paraburgimit", ka deklaruar prokurorja Besa Limani.
Kurse Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka konfiskuar një armë, me të cilën besohet se është kryer vrasja e Liridona Murselit, të mërkurën në mbrëmje.
Lidhur me këtë ngjarje, përmes rrjetit social Facebook, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila falënderoi angazhimin e policisë dhe të prokurorisë në zbardhjen e këtij rasti të rëndë.
Njëherësh edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.
“Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Bëhet e ditur se aktualisht, të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve prokuroria do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore.
“Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftim.
Mësohet se njëri nga të arrestuarit është Naim Murseli, bashkëshorti i të vrarës, Liridona Murseli, dhe një person tjetër.
Arrestohet Naim Murseli si i dyshuar në vrasjen e bashkëshortes
(E plotësuar) Policia e Kosovës ka njoftuar të premten se kanë arrestuar dy persona, të cilët lidhen me vrasjen e një gruaje në rrugën “Dalip Alshiqi", në Prishtinë, të mërkurën në mbrëmje.
Mësohet se njëri nga të arrestuarit është Naim Murseli, bashkëshorti i gruas së vrarë, Liridona Murseli, si dhe një person tjetër.
Lidhur me këtë ngjarje, përmes rrjetit social Facebook, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila falënderoi angazhimin e policisë dhe të prokurorisë në zbardhjen e këtij rasti të rëndë.
Ministrja Haxhiu tha se kriminelët do të përballen me drejtësinë.
“Me punë intensive, angazhim dhe bashkëpunim ndërmjet policisë dhe prokurorisë, janë arrestuar dy persona të cilët dyshohen për vrasjen e gruas në Prishtinë. Njëri nga personat e arrestuar është bashkëshorti i të ndjerës, Liridonës, i cili, sipas dyshimeve, ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje. Vlerësoj lartë angazhimin e policisë dhe prokurorisë për sqarimin e rrethanave që çuan në zbardhjen e këtij krimi të rëndë, që mori jetën e të ndjerës, Liridonës. Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”,ka shkruar mes tjerash, ministrja Haxhiu”, ka shkruar ministrja Haxhiu në Facebook.
Arrestohen dy persona të dyshuar për vrasjen e gruas në Prishtinë

Policia e Kosovës ka njoftuar, të premten, se ka arrestuar dy persona të cilët lidhen me vrasjen e një gruaje në rrugën “Dalip Alshiqi" në Prishtinë të mërkurën në mbrëmje.
“Si dihet, me datën 29.11.2023, rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën "Dalip Alshiqi" në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka sqaruar për RTK, zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit, ka thënë ajo.
“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar. Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë”, njofton zëdhënësja e Policisë së Kosovës.
Siç është raportuar më herët viktimë ishte gruaja e Naim Murselit, ish këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit. Rasti dyshohej të ketë ndodhur pas një incidenti, ku familja Murseli është përballur me disa grabitës.
Sipas raportimeve fillestare, Liridona Murseli u vra nga disa grabitës, teksa po udhëtonte me makinë së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj.























