Drafti i Asociacionit i dorëzohet opozitës, por nuk e komentojnë atë
BKT
Lajme

Drafti i Asociacionit i dorëzohet opozitës, por nuk e komentojnë atë

Edona Podvorica /RTK

Partitë opozitare, më në fund, e kanë në duar draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, por deri tash ato nuk e kanë komentuar përmbajtjen e këtij drafti. Ky dhjetor nuk dihet nëse do të prodhojë hapa konkretë në pranim zyrtar e zbatim të këtij drafti. Vetë kryeministri tha sot se nuk është në dijeni për ndonjë takim të planifikuar gjatë dhjetorit në Bruksel, në mes tij, ndërmjetësuesve dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, e kanë konfirmuar pranimin e versionit zyrtar të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

BE-ja, dje, në mënyrë zyrtare ua ka dorëzuar këtë dokument. Askush nga opozita nuk ka dashur të komentojë përmbajtjen e draftit.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, i tha RTK-së se dokumentin e kanë marrë nga Zyra e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

"Partia Demokratike e Kosovës dje e ka pranuar një kopje të draftit të Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Zyra e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi", ka deklaruar Abdullahu.

Njësoj kanë thënë edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovë. Ata, ditët në vazhdim, do të dalin me qëndrimin e partisë në lidhje me përmbajtjen e këtij dokumenti.

Edhe Besnik Tahiri i AAK-së tha se dokumentin tashmë ia kanë dorëzuar deputetëve të partisë dhe kryesisë së saj.

 “Javën e ardhshme do të kemi një diskutim të thellë, ku do të komentojmë përmbajtjen”, ka thënë Besnik Tahiri, AAK.

Pesë euro-emisarët që draftin e sollën në Prishtinë më 21 tetor, i kishin kërkuar kryeministrit të vendit, Albin Kurti, që draftin të mos e bëjë publik, as për opozitën dhe as për opinionin publik.

Kjo kërkesë e ndërkombëtarëve është kritikuar ashpër në Prishtinë, jo vetëm nga partitë opozitare, por edhe nga shoqëria civile.

Për ta arsyetuar konfidencialitetin e procesit, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, javën e parë të nëntorit qëndroi në Prishtinë, ku e takoi opozitën me të cilët bisedoi për draft-statutin.

Përmbajtja e draftit u shpjegua gojarisht, askush se mori tekstin e statutit.

Ky dhjetor nuk dihet nëse do të prodhojë hapa konkretë në pranim zyrtar e zbatim të këtij drafti.

Vetë kryeministri tha sot se nuk është në dijeni për ndonjë takim të planifikuar gjatë dhjetorit në Bruksel, në mes tij, ndërmjetësuesve dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

“Nuk jam në dijeni për ndonjë takim të planifikuar, si kryeministër, Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë qenë gjithmonë të përkushtuara, konstruktive dhe kreative, por nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, prioriteti i Kosovës është siguria, e siguria është siguria e kufijve”, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se vërejtjet për këtë draft do të diskutohen në takim mes kryenegociatorëve të Prishtinës e Beogradit.


MË SHUME NGA Lajme