Financimi i partive politike, deputetët kërkojnë transparencë|Video
Visar Shatrolli /RTK
E për transparencën e financave dhe llogaridhënien e partive politike është diskutuar sot në një tryezë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës. Deputetët shtruan nevojën për më shumë transparencë, derisa projektligji i fundit për financimin e partive politike ishte miratuar në vitin e kaluar.
Deputetë të partive politike në Kosovë kanë kërkuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga subjektet politike lidhur me financimin e tyre.
Pikërisht për këtë çështje të premten është diskutuar nga aktorë politikë në konferencën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Duke kërkuar më shumë transparencë në këtë çështje, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, përmendi barazinë gjinore si kërkesë në ndarjen e financave brenda partive politike.
"Uroj që edhe përmes ligjit për barazi gjinore të respektohet jo vetëm kuota dhe të shkohet një hapësirë më të madhe për gratë që çdo e dyta të jetë grua, ka indikacione te partitë politike që edhe platforma edhe organizimit të mos jetë përmes një forumi të veçantë dhe kemi platformën 50 :50 dhe në çdo tryezë të jetë në përfaqësim të barabart137", deklaroi Eliza Hoxha, deputete e PDK-së.
Armend Zemaj, deputet i LDK-së, tha se njëra ndër pjesët më kryesore është financimi i jashtëm i partive politike duke e quajtur si të rrezikshëm, për çka kërkoi më shumë transparencë.
" Partitë politike e kanë edhe interes transparencën ashtu siç ka avancuar transparenca te bizneset sepse rritjes së transparencë te bizneset kjo ka shkuar në. Kjo ka shkuar njëfarë balanci i njëjtë që duket se është interes i përgjithshëm", deklaroi Armend Zemaj, deputet i LDK-së.
Projektligji i fundit për financimin e partive politike ishte miratuar në vitin e kaluar, për të cilin shefi i GP te AAK-së, Besnik Tahiri, theksoi se duhet t'i jepet kohë.
"Duhet dhënë pak kohë, nuk mundemi njëherë të kërkojmë ndryshime pa ia lënë një kohë për ta parë implementimin dhe impaktin e këtij ligji, mundem ta shohim. .. duhet të lëmë të marrë frymë këtë ligj dhe pastaj të shohim se si po shkon zbatimi", deklaroi Besnik Tahiri, shef i GP te AAK-së.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, deklaroi se legjislacioni jo doemos ka përcjellë të gjitha synimet organizatave dhe shoqërisë civile për të rritur llogaridhënien dhe transparencën.























