Kurti e Jovanoviq biseduan për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Serbi
Sh.Ç /RTKlive
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim politikanin liberal nga Serbia, Çedomir Jovanoviq.
Kurti e Jovanoviq kanë biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Serbi dhe raportet ndërmjet dy vendeve, njofton Kryeministria.
"Gjithashtu folën për nevojën e fuqizimit të sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor, rëndësinë e demokratizimit të shoqërive dhe institucioneve, pluralizmit politik, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare si garant të paqes dhe sigurisë në gjithë rajonin", thuhet në njoftim.
Jovanoviq: Për Kosovën duhet thënë e vërteta
Kryetari i Partisë Liberal Demokratike të Serbisë, Çedomir Jovanoviq, ka thënë se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Kurtin e njoh prej 30 vitesh, ai dhe unë kemi kaluar shumë në jetën tonë dhe pas këtyre bisedave besoj se gjaku i derdhur në Banjskë është gjaku i fundit i derdhur në konfliktin mes popullit serb dhe shqiptar në Kosovë”, ka thënë Jovanoviq në një postim në rrjetin social X.
Jovanoviq ka deklaruar se Serbia po ngec nën barrën e Kosovës.
“Duhet thënë e vërteta dhe duhet marrë një rrugë tjetër. Të gjithë e dini se kam thënë të vërtetën shumë kohë më parë, më shumë se 20 vjet më parë, dhe për këtë jam cilësuar si tradhtar. Sot, shumë njerëz e kuptojnë se unë bëra atë që duhej të bëja, sepse e dua popullin tim dhe e di që nuk mund t’i dua dhe t’u uroj mirë serbëve pa pasur forcën t’i dua shqiptarët e Kosovës dhe të përpiqem t’i kuptoj ata”, ka thënë ai.
Liberali serb ka thënë se beson në shoqërinë serbe dhe aftësinë e saj për të mbështetur ndryshimet politike që i nevojiten në mënyrë që të gjithë në Kosovë të gjejnë qetësinë e tyre, dhe ne të drejtën për një fillim të ri.























