Të martën fillon “Java kundër Korrupsion 2023”
BKT
Lajme

Të martën fillon “Java kundër Korrupsion 2023”

M.Miftari/RTKlive

Të martën, me 5 dhjetor, 2023, fillon “Java Kundër Korrupsion 2023”. Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile “Bashkë kundër Korrupsionit”, edhe këtë vit do ta organizojë “Javën Kundër Korrupsion 5 - 9 dhjetor 2023”. Gjatë kësaj Jave do të realizohen aktivitete të ndryshme që për synim kanë sensibilizimin kundër korrupsionit.

Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se pjesë e këtij koalicioni të organizatave joqeveritare në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2023” janë 3 organizata: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja Fol dhe Iniciativa për Progres (INPO).

“Për shënimin e kësaj Jave, Koalicioni i OJQ-ve ka planifikuar që të ketë të ftuar të gjithë aktorët vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë, me qëllim të sensibilizimit në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, sa i përket luftës kundër korrupsionit. Në kuadër të aktiviteteve gjatë kësaj jave do të trajtohet korrupsioni, integriteti, llogaridhënia, transparenca etj.”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 5-9 dhjetor 2023”, koalicioni i OJQ-ve ka planifikuar organizimin e shumë aktiviteteve, ku ndër të tjera është planifikuar të prezantohen edhe raporte konkrete lidhur me trajtimin e korrupsionit, ku pasqyrohen problemet dhe sfidat e institucioneve përgjegjëse në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie.

Më tej në njoftim thuhet se koalicioni i OJQ-ve ka planifikuar që të mbahen tryeza të diskutimit me akterët relevant lidhur me luftën kundër korrupsionit, dhe po ashtu është planifikuar që të mbahen konferenca të ndryshme ku pritet prezantimi i shumë raporteve analitike si: “Ndjekja dhe gjykimi i korrupsionit”, “Parashkrimi i kriminalitetit”, “Korrupsioni në Prokurimin Publik”, “Ndikimi i korrupsionit në integrimin e Kosovës në BE”, “Tejkalimi i kompetencave nga Zyra Kombëtare e Auditimit”, “Amnistimi i mos deklarimit të pasurisë”, “Kushtetutshmëria e Qeverisjes”, “Ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë përmes deklarimeve publike”, “Transparenca e Qeverisë” dhe “Transparenca e Ndërmarrjeve Publike”, janë disa nga raportet që do të publikohen gjatë “Javës kundër Korrupsion 2023”.

Gjithashtu, Koalicioni i OJQ-ve gjatë kësaj Jave ka planifikuar që të realizojë edhe aktivitete tjera si: Simulimi i seancës së Kuvendit për miratimin e një rezolute anti-korrupsion dhe performanca artistike për shënimin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit.

Ndryshe, dinamika e shënimit të “Javës Kundër Korrupsion 2023”, përfshin konferenca, tryeza dhe aktivitete të ndryshme në fusha të ndryshme që kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, teksa si moto e “Javës Kundër Korrupsion 2023”, e koalicionit të OJQ-ve është “Bashkë Kundër Korrupsionit”.


MË SHUME NGA Lajme